Bujqësia shqiptare po përballet me sfida të mëdha, ku fermerët mbijetojnë, por sektori nuk po zhvillohet. Në emisionin ‘News24 Fundjavë’, të gazetares Megi Latifi, fermerë dhe ekspertë të fushës analizuan problemet që ndikojnë në prodhimin dhe të ardhurat e fermerëve.

Fermeri Franc Kaloshi tha se ka humbur mbi 150–200 mijë euro për shkak të përmbytjeve që kanë prekur rreth 80 hektarë tokë bujqësore të familjes së tij. Ai akuzon qeverinë për mungesë mbështetjeje reale: “Kompensim? Burokraci dhe fjalë. Kanë ngritur një komision, kanë ardhur dhe kanë bërë disa foto, por nuk ka asnjë procesverbal apo dokument zyrtar për kompensimet.”

Nga ana e tij, pedagogu Gjokë Vuksani nënvizoi se bujqësia shqiptare në pesë vitet e fundit ka qenë ose në stanjacion, ose në vend-numëro. Ai shpjegon se përmbytjet dhe temperaturat e ulëta kanë goditur fermerët, ndërsa keqmenaxhimi i ujërave nga HEC-et ka shkaktuar përmbytje të mëdha në zona si Lushnja, Lezha dhe Tale. “Kemi dhe prishje të cilësisë së tokës. Nuk vjen uji nga lart poshtë, por në zonat e Lushnjës, apo të Lezhës, vjen uji nga deti apo lagunat. Si pasojë e amortizimit. Ka ndodhur në Tale, ku si pasojë e mosderdhjes së ujërave në det, uji ka ardhur nga poshtë, lartë. Nëse ka hyrë uji i kripur në tokë, ajo minimumi do 10 vite që të vijë në parametrat e duhur për t’u mbjellë dhe për të nxjerrë prodhim. Shumë toka përmbyten nga keqmenaxhimi i HEC-eve që ndodhen mbi lumenj, se ruajnë kuotat dhe nuk shohin tokat. Duhet pamje më e gjerë dhe para. Duhet mbështetje për sektorin e bujqësisë.” tha Vuksani. Ai shtoi se shumë toka po humbasin cilësinë për shkak të mungesës së një strategjie të gjerë për menaxhimin e ujërave dhe nevojës për mbështetje konkrete për sektorin.

Situata tregon se, pavarësisht investimeve dhe deklaratave të qeverisë, fermerët mbeten të ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe keqmenaxhimit të burimeve, duke paguar vetë kostot e humbjeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb