Në kohët e përtacisë moderne të të menduarit, njeriu i shekullit tonë gjeti një zgjidhje praktike për hallet që mund ti bien mbi supe! ChatGPT, një zgjidhje e shpejtë, pa lodhje, me formula të gatshme algoritmesh që mbledhin informacion poshtë e lartë nëpër faqe interneti e që të vijnë si përgjigje dyfaqëshe në telefon, e shumta për 20 sekonda. Kjo ndodh pavarësisht nga pyetjet e komplikuara apo të lehta që mund ti drejtosh programit. Për shembull nëse nuk di si gatuhen “spaghetti alla carbonara”, pyet ChatGPT dhe “fët e fët” të vjen përgjigja se sa minuta duhen për të zier makaronat, përzier vezët me djath Pecorino, e kur t’i hedhësh piperin e zi, apo sa kohë duhet të tiganisësh pancetën! Dhe ja u u gatuan Carbonarat për 20 minuta! Natyrisht që ky aplikacion mund t’u japë përgjigje shumë e shumë situatave ku njëriu nuk është në gjëndje të lodhet duke lexuar libra, edhe përtej ca recetave të gatimit. Ashtu siç për të kursyer kohë, gjen këtë zgjidhje inteligjente në vend të ushtrimit të eksperiencave të punës që kërkojnë vite apo dhe disa muaj. Thuajse për cdo gjë praktike apo teorike, tek ChatGPT gjen c’të duash, përvecse përgjigjen e pyetjes se si u krijua bota dhe njerëzit, apo ekziston vërtetë Zoti apo zanafilla erdhi prej Big Bang-ut. Këto janë punë mistike që ky program nuk i zgjidh dot! Sa për të tjerat, Chat-i i jep drejtim çdo gjëje.
Këtë kuptoi edhe Rama kur prezantoi Diellën! Meqë nuk mbante dot më korrupsionit galaktik që kanë prodhuar njerëzit e tij nën drejtim e atij vetë natyrisht, iu drejtua kushërirës së ChatGPT-së, pra Diellës, për të mos vjedhur më qeveria tendera, duke janë lënë këtë punë në dorë Inteligjencës Artificiale. Pikërisht përzgedhjen e ofertave me duart virtuale të Diellës. Kur themi “kuptoi”, domethënë që ishte një lëvizje mashtruese e nivele shumë naive, prej se cilës as patronazhistët më të devotshëm nuk u gënjyen.
Në këto kushte, në rradhë për të përdorur Inteligjencën Artificiale janë vënë dhe Gjykata Kushtetuese me Kuvendin, të cilat në shumicë brënda tyre nuk po i japin dot drejtim cështjes së pezullimit të Ballukut dhe arrestimit të saj sipas kërkesës së SPAK dhe GJKKO. Por a janë kaq të vështira këto cështje për tu menduar kaq gjatë ajka e juristëve dhe politikanëve të Shqipërisë? Jo, aspak! Mjafton të hysh në ChatGPT për të kuptuar se sa të thjeshtë e kanë këto dy trupa kushtetuese, për të dhënë një vendim pro kërkesës së SPAK për pezullimin e zëvensëkryeministres apo heqjen e mandatit të deputetes. Sepse në thelb janë e njëjta çështje. Dhe thelbi ka të bëjë me statusin e saj si deputete pra qeveritare, nëse ka nevojë për mbrojtje institucionale nga akuzat e prokurorisë apo do t’i nënshtrohet trajtimit nga ligji si gjithë qytetarët e tjerë.
Më konkretisht, po ti drejtosh ChatGPT pyetjen: “cfarë është imuniteti parlamentar dhe për cfarë shërben ai”, të vjen përgjigja për 20 sekonda sipas zakonit të programit si në vijim. “Imuniteti parlamentar është një mbrojtje që u jepet anëtarëve të parlamentit, në mënyrë që këta të fundit të bëjnë punën e tyre në mënyrë të lirë dhe të pavarur, pa patur frikë nga persekutimi politik ose presioni I gjykatave, policisë ose qeverisë”. Ç’ka nënkupton sipas doktrinës në demokraci, se pas tyre qëndron qeveria që kërkon të shtypë të drejtat dhe liritë e një deputeti.
Dhe përgjigja vijon: “në terma të thjeshtë: imuniteti mbron politikanët në mënyrë që ata të flasin e veprojnë lirisht në Parlament ose të ndëshkohen për arsye politike. Por kjo nuk është një kartë “dil nga burgu falas”. E më pas përgjigja shtrihet dhe më tej: “deputetët nuk mund të akuzohen (persekutohen) ose paditen për: 1) atë që thonë në parlament; 2) se si votojnë; 3) për opinionet që japin gjatë punës së tyre parlamentare”.
Për shembull; “nëse një deputet akuzon një ministër për korrupsioin gjatë një séance parlamentare, ai nuk mund të paditet për shpifje. Kjo mbrojtje përgjithësisht është absolute dhe e përhershme edhe pasi lënë mandatin. Deputetët nuk mund të arrestohen ose akuzohen pa miratimin e parlamentit përvec rasteve kur kapen në flagrancë për vepra penale, që nuk kanë të bëjnë me fjalën e dhe veprimin e lirë parlamentar. Qëllimi i imunitetit është të parandalojë qeverinë që të arrestojë deputetët e opozitë, apo të nisë procedura kriminale (penale) false për t’i mbyllur gojën opozitës. Limitet që ka imuniteti janë dy: 1) nuk merr parasysh krime serioze si vrasja apo terrorizmi; 2) shumë vënde e kanë hequr imunitetin ose dobësuar atë si praktikë mbrojtëse, për të luftuar korrupsionin”.
Ja pra ky është shpjegimi i ChatGPT, që jo vetëm nuk justifikon padinë e Ramës në Gjykatë Kushtetuese. Por e vërteta e doktrinës së “imunitetit parlamentar” në demokraci, përfaqëson krejt të kundërtën e asaj qe pretendon kryeministri. Praktika të tjera shkojnë deri aty sa kërkojnë dhe heqjen në bllok të mbrojtjes përmes imunitetit për deputetët, me qëllim për të luftuar korrupsionin. Çfarë bën Rama ndërkohë? E sheh imunitetin si mburojë për korrupsionin e supozuar nga prokororia dhe gjykatat e shkallëve! Ai padit SPAK-un në Gjykatën Kushtetuese që nderkohë lufton korrupsionin, dhe merr në mbrojtje një deputet me akuzë penale mbi shpinë! Pikërisht këtë shtrembërim të qëllimshëm kanë kuptuar ndërkombëtarët që mbështesin SPAK dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, krejt ndryshe nga mazhoranca.
E po të vazhdojmë më tej me çfarë u gjet në ChatGPT-në, imuniteti eshte mekanizëm mbrojtës për deputetët opozitarë që denoncojnë apo akuzojnë qeverinë për shumë arsye, që nga paaftësia deri tek abuzimi me pushtetin. Ndërsa Rama nuk kërkon në GJK mbrojtjen e lirisë së fjalës apo veprimit të deputetëve, por lirinë për të vazhduar vjedhjet edhe kërcënimin e dëshmitarëve nga e akuzuara, siç u la të kuptohej qartësisht në fjalën e drejtuesit të SPAK në seancën dëgjimore në GJK.
Atëherë pyetja që shtrohet është, për çfarë na duhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe deputetët kur nuk janë në gjendje të japin përgjigjet e duhura që një aplikacion falas si ChatGPT i jep pa asnjë sforcim?! Për çfarë paguajmë miliona euro në vit për ca njerëz që nuk ndajnë dot se çfarë është gjëja e duhur në demokraci në lidhje me ushtrimin e pushtetit ekzekutiv e kufizimin e tij nga drejtësia dhe Parlamenti?! A nuk janë këto parimet bazë të demokracisë kushtetuese që ChatGPT i përmbledh në 20 sekonda e t’i servir si të jenë një formulë e rëndomtë makaronash në ekranin e telefonit?! Për çfarë lodhen në ecejaket e tyre diplomatike me dhjetëra ambasadorë e përfaqësues të kancelarive perëndimore nga Washingtoni, Berlini, Londra e Brukseli, kur këta njerëz që nuk meritojnë të jenë as roje dere tek Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi nuk ndajnë dot zgjedhje kaq të thjeshta?! Këto pyetje nuk janë veçse retorike, pasi kjo kategori gjykatësish e deputetësh janë njerëz që nuk i vlejnë për asgjë taksapaguesve shqiptarë dhe të huaj përveçse të hanë, të pijnë e të flenë qyl. Ndaj përgjigja nuk duhet kërkuar tek fakti pse Rama, PS e sistemi ynë i kalbur i zgjedh apo emëron këta njerëz, por pse nuk i zëvendësojnë me ca operatorë që të përdorin ChatGPT, pra një Diella 2, duke kursyer miliona euro shpenzime e orë, ditë e vite të kota kohë pa fund të shqiptarëve.
