Ish-prokurori Besnik Muçi e ka cilësuar artificiale debatin për rritjen e pagave për magjistratët, ku protagonist në këtë diskutim është bërë dhe kryeministri Edi Rama. Muçi tha në programin e drekës në News24 se dikur dashnorët e drejtësisë ishin pro rritjes së pagave të magjistrave, ndërsa sot bëjnë debat për të shmangure vëmendjen nga çështjet e tjera.
Ai tha se kërkesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve është legjitime.
“Kur dëgjoj këtë lloj debati them ku shkuan ato dashnorët e mëdhenj të drejtësisë, të vettingut! Ata ‘bombarduan’ qytetarët se duan drejtësi të re, dhe sot janë bërë armiq të drejtësisë. Të gjithë ishin për drejtësinë e re dhe sot thonë; reforma ka dështuar. Por këta e bënë këtë reformën. Është kërkesë legjitime nga gjyqtarët dhe prokurorët. Rrogat e tyre të indeksohen. Referenca nuk është me pagën bruto, por paga e sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Nëse rritet paga e referencës, pse mos të rritet paga e gjyqtarit. Kur ishit dashnor i reformës, ia kishit caktuar rrogën, ndërsa sot jo. Ky është një debat për të hequr vëmendjen nga ngjarjet e tjera. Sa herë që do të rritet paga referente do të rritet rroga e gjyqtarëve. Ky është për të shmangur vëmendjen nga drejtësia.”, pohoi ai.
