Merkatoja verore pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme për Partizanin në prag të sezonit të ri, teksa të kuqtë synojnë të lënë pas një kampionat zhgënjyes dhe të rikthehen sërish konkurrues për trofetë madhorë. Pas mbylljes së sezonit në vendin e pestë dhe mbetjes jashtë Kupave të Europës, drejtuesit janë të vetëdijshëm se ndërhyrjet në merkato do të kenë ndikim të madh në ecurinë e skuadrës. Në klub e dinë mirë se Partizani ka nevojë për përforcime cilësore dhe jo për një revolucion të madh në organikë.

Ideja kryesore është që të ruhet baza e skuadrës aktuale dhe grupit t’i shtohen elementë që rrisin konkurrencën dhe nivelin e ekipit në repartet ku u vunë re më shumë probleme gjatë sezonit të fundit. Një nga repartet ku priten ndërhyrje është mbrojtja. Partizani pësoi shumë gola gjatë sezonit dhe në disa ndeshje u vu re mungesa e stabilitetit në fazën difensive. Për këtë arsye, drejtuesit po analizojnë alternativat për të afruar një qendërmbrojtës që di të luajë mirë me topin në këmbë dhe që përshtatet me stilin e lojës që kërkon klubi.

Po ashtu, rëndësi të veçantë do të ketë edhe mesfusha. Në shumë momente të sezonit, të kuqtë vuajtën mungesën e një lojtari lider që të marrë përgjegjësi dhe të udhëheqë skuadrën në momentet më të vështira. Për këtë arsye, merkatoja pritet të fokusohet edhe te afrimi i futbollistëve me eksperiencë dhe personalitet. Një tjetër aspekt që po analizohet me kujdes lidhet me largimet e mundshme. Futbollistë si Human apo Dumbia kanë pasur paraqitje të mira dhe nuk përjashtohet mundësia që për ta të mbërrijnë oferta gjatë verës. Në klub janë të gatshëm të dëgjojnë çdo propozim serioz, sidomos në një sezon ku mungojnë të ardhurat nga Kupat e Europës.

Megjithatë, drejtuesit nuk duan të dobësojnë skuadrën dhe synimi mbetet ndërtimi i një grupi më të balancuar dhe më konstant në rezultate. Pikërisht për këtë arsye, çdo largim i mundshëm pritet të zëvendësohet me alternativa cilësore. Rëndësi të madhe në merkato do të ketë edhe trajneri i ri. Tekniku që do të marrë drejtimin e ekipit pritet të ketë rol aktiv në përzgjedhjen e futbollistëve dhe në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Drejtuesit kërkojnë që merkatoja të bëhet në bashkëpunim të plotë me trajnerin, në mënyrë që ekipi të ndërtohet sipas fi lozofi së së tij të lojës. Nga ana tjetër, Partizani synon të vazhdojë t’u japë hapësira edhe futbollistëve të rinj. Gjatë sezonit të fundit disa talente morën minuta me ekipin e parë dhe në klub besojnë se akademia duhet të mbetet një pikë e fortë për të ardhmen. Në ambientin e të kuqve ka optimizëm dhe besojnë se merkatoja e kësaj vere do të jetë vendimtare për rikthimin e skuadrës në nivelet më të larta. Pas një sezoni pa trofe dhe jashtë Europës, Partizani kërkon të ndërtojë një ekip më të fortë, më të qëndrueshëm dhe më konkurrues për objektivat e sezonit të ardhshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb