TIRANE- Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi projektligjin që autorizon tri ministri të negociojnë kontratën e portit gjigant të Kavajës. Por, deputetët ishin jo pak skeptikë. “Kjo që thuhet në letër, që është vendi më i përshtatshëm në Mesdhe, në ç’aspekt është?”, pyeti Namik Kopliku, deputet i Partisë Socialiste. “Sepse e shohin si një pozicion strategjik, që mund të lidhet me Roterdamin dhe Kanalin e Suezit”, sqaroi ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Por, skepticizmi më i madh ka lidhje me garancitë financiare të kompanive që do ndërtojnë projektin 5 miliardë dollarësh. “Vetë kompania aplikuese ka një kapital prej 100 sterlinash”, deklaroi deputeti i PD, Helidon Bushati. “‘Starbridge Poor Development LTD’ shërben si kompani që mikson disa investitorë, siç është ajo vetë, ‘William Blair’, apo ‘Icon Capital'”, sqaroi sërish ministrja Ekonomi.

“Si janë angazhuar këto kompani në këtë konsorcium?”, pyeti deputeti Eduard Shalsi. “‘William Blair’ është angazhuar me memorandumin e saj, me SPV-në që e ka të regjistruar në Uells. Ky është një moment angazhimi shumë pozitiv për ne”, vijoi Ekonomi. “Asnjë prej këtyre kompanive nuk tregon në një rresht të vetëm projektet për të bashkëpunuar me kompanitë që kanë aplikuar në Shqipëri”, insistoi deputeti Bushati.

Drafti u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita abstenoi duke kërkuar më shumë transparencë për projektin, i cili sipas qeverisë do të hapë 70 mijë vende pune. Sipas relacionit, ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e një procedure të veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited” për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike.

“Star Bridge Port Developments Limited” është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe përbëhet nga kompani prestigjioze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve e më gjerë, të tilla si ‘AECOM’, ‘SFTA’, ‘Ramboll’, ‘RVT Architects’, ‘Summa’. Kjo kompani nuk është e regjistruar si subjekt i ligjit shqiptar, pasi në këtë fazë nuk është detyrim ligjor. Kompania do të regjistrohet pas nënshkrimit të kontratës.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: