Reforma zgjedhore ka qenë gjithmonë një temë e nxehtë në politikën shqiptare. Gazetarë dhe politikanë përplasen ashpër në emisione të ndryshme televizive mbi arsyet pse ky apo ai sistem qenka më i mirë, shpesh duke përdorur terma teknikë që shqiptari përpara ekranit as nuk i kupton. Por si mund ta kuptojmë se cila është zgjidhja më e mirë? Për ta kuptuar këtë, duhet të fillojmë nga ajo që ka më shumë rëndësi për shqiptarët ditën që shkojnë në votime.

Qytetarët kërkojnë një gjë shumë të thjeshtë: që vota e tyre të ketë peshë reale. Ata janë të lodhur duke parë se si vota bëhet joefektive, si humbet ose deformohet dhe si shpesh nuk përkthehet drejt në përfaqësim politik. Një reformë zgjedhore nuk mund të ndërtohet mbi teori ideale, por duhet të pasqyrojë kompleksitetin e kombit dhe shoqërisë ku zbatohet. Shqipëria është një vend i vogël dhe relativisht homogjen, dhe për këtë arsye nuk ka as luksin, as aftësinë të adoptojë sisteme të ndërtuara për vende me madhësi dhe realitete krejt të ndryshme.

Sistemi zgjedhor holandez përshtatet mirë në këtë skenar dhe, me sistemin e tij proporcional të pastër, mund t’u ofrojë shqiptarëve disa ide të vlefshme. Para së gjithash, në Holandë ekziston vetëm një zonë zgjedhore. Kjo do të thotë se çdo votë, pavarësisht se ku hidhet, ka të njëjtën peshë. Në një vend të vogël si Shqipëria, ndarja në disa zona zgjedhore është jo vetëm e panevojshme, por edhe e dëmshme, sepse e bën votën e një qytetari më të vlefshme se të një tjetri, vetëm për shkak të vendbanimit.

Mënyra e votimit është gjithashtu shumë e thjeshtë. Qytetari merr një fletë votimi ku janë të listuara partitë dhe kandidatët e tyre. Ai zgjedh një kandidat nga lista e një partie dhe kjo votë i shkon drejtpërdrejt asaj force politike. Nuk ka vota të ndara, nuk ka kombinime artificiale dhe nuk ka llogaritje që qytetari nuk i kupton. Çdo votë hyn në të njëjtën llogari kombëtare dhe ndikon drejtpërdrejt në shpërndarjen e mandateve.

Gjithashtu, në këtë sistem funksionon edhe mekanizmi i listave të hapura. Në Holandë, një qytetar mund të votojë kandidatin që preferon brenda partisë që po voton, dhe në bazë të votave të marra, kandidatët avancojnë në renditje deri sa të zgjidhen. Kjo krijon një lidhje edhe më të fortë mes zgjedhësit dhe kandidatit, duke rritur gjithashtu nivelin e përgjegjësisë së çdo politikani, i cili në fund të mandatit të tij duhet t’i japë llogari çdo votuesi që e ka votuar.

Mandatet ndahen në mënyrë proporcionale me votat e marra në rang kombëtar. Nëse një parti merr rreth 20 për qind të votave, ajo merr afërsisht 20 për qind të vendeve në parlament. Kjo bën që shumë pak vota të humbasin dhe që rezultati zgjedhor të jetë i kuptueshëm për qytetarin. Nuk ka shumica artificiale në ndihmë të pushtetit aktual, as nuk ka deformime të krijuara nga ndarja territoriale.

Një tjetër avantazh i dukshëm i këtij sistemi është legjitimiteti i perceptuar. Në fakt, ky sistem e bën të qartë se vota e një individi ka peshë të vërtetë. Propozimi i një sistemi të tillë mund të luftojë abstenimin dhe t’i inkurajojë qytetarët të votojnë dhe t’u besojnë më shumë politikanëve, jo sepse politikanët do të bëhen magjikisht më të ndershëm, por sepse ata do të dënohen më lehtë në zgjedhjet e ardhshme.

Ky sistem krijon një lidhje të drejtpërdrejtë mes votës dhe pushtetit. Qytetari e di se vota e tij ka peshë reale dhe se nuk “digjet” gjatë rrugës. Për këtë arsye, në Holandë qeveritë janë zakonisht koalicione, sepse parlamenti pasqyron më mirë pluralizmin e shoqërisë dhe raportet reale të forcave politike.

Në tërësi, ky sistem garanton një përfaqësim real politik, një prag elektoral të ulët dhe një pjesëmarrje më të lartë politike. Në Shqipëri, një sistem i tillë mund të nënkuptojë deputetë më të përgjegjshëm, më shumë dinamikë politike, luftë kundër ngërçit dhe kundër qendrave të pushtetit lokal të tipit mafioz.

Për Shqipërinë, një sistem i tillë nuk duhet parë si një model për t’u kopjuar verbërisht, por si një shembull i qartë se si barazia e votës dhe thjeshtësia e rregullave mund të rrisin besimin në zgjedhje. Në fund të fundit, një sistem zgjedhor nuk matet nga sa i ndërlikuar është, por nga sa drejt e përkthen vullnetin e qytetarëve në pushtet politik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb