Mediat britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull protestës së djeshme që mbajti opozita në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në artikull ku përmendet dhe fakti që ndaj protestuesve u përdor gaz lotsjellës dhe ujë.

ARTIKULLI
Policia e rendit ndërhyri me gaz lotsjellës dhe topa uji mbrëmjen e së martës në Tiranë, pasi protesta e opozitës kundër qeverisë u shoqërua me incidente dhe përplasje. Sipas autoriteteve, një pjesë e demonstruesve hodhën kokteje Molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të sigurisë. Mijëra qytetarë u mblodhën në qendër të kryeqytetit duke kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Pamjet nga protesta treguan momente tensioni, me flakë dhe mjete piroteknike të hedhura drejt kordonit policor.

Policia bëri të ditur se 16 protestues përfunduan në spital me djegie dhe lëndime të tjera, ndërsa 13 persona u arrestuan gjatë tubimit. Protesta vjen në një kohë kur qeveria përballet me akuza për korrupsion që përfshijnë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit e akuzon atë për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik në favor të kompanive të caktuara dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj parlamentar — një vendim që mund të merret vetëm me votim në Kuvend. Kryeministri Rama ka refuzuar thirrjet për shkarkimin e saj.

Kjo ishte protesta e tretë në muajt e fundit me kërkesë për dorëheqjen e Ramës. Mbi 1,300 efektivë policie ishin angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë. Edhe tubimet e mëparshme janë shoqëruar me incidente të ngjashme, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi protestën si një “kryengritje paqësore”, duke akuzuar kryeministrin se “i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë”. Ndërkohë, analisti politik Mentor Kikia u shpreh skeptik për efektin e protestave, duke theksuar se klima politike në vend mbetet e polarizuar dhe se qytetarët ndihen të zhgënjyer nga alternativa politike.
Shqipëria vijon procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe synon përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027, por organizatat ndërkombëtare theksojnë se korrupsioni mbetet një nga sfidat kryesore për vendin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: