Ambasada amerikane ka mirëpritur themelimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.
“Mezi presim që të bashkëpunojmë me Qeverinë e re për avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”, u tha në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale.
Më 11 shkurt, deputetët e konstituuan Kuvendin e Kosovës, duke zgjedhur Albulena Haxhiun si udhëheqëse të re të organit ligjvënës.
Disa orë më vonë, u votua edhe Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje – fitueses së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Gjatë ekspozesë së tij para Kuvendit, Kurti tha se aleanca me Uashingtonin “nuk do të lëkundet”.
“Kosova është më demokratike dhe më e sigurt se kurrë më parë, Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë, dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me BE-në, SHBA-në dhe vendet mike nuk do të lëkundet, sepse ky bashkëpunim nuk është strategji, është vlerë”, tha Kurti.
Themelimi i institucioneve të reja të Kosovës vjen pas një viti bllokade politike.
Gjatë vitit të kaluar, Kosova u udhëhoq me Qeveri në detyrë, pasi Kurti – ndonëse i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 – nuk ka arritur të formojë Qeverinë e re, çfarë ka çuar në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme.
Gjatë mandatit të mëparshëm, Qeveria e tij është përballur shpesh me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht për shkak të veprimeve që janë cilësuar si të pakoordinuara dhe të njëanshme.
Nga mbyllja e shumicës së institucioneve serbe në Kosovë deri te heqja e dinarit serb nga përdorimi, këto veprime janë parë si të dëmshme për komunitetin serb dhe si faktor që ka rritur tensionet në veri të vendit.
