Ylber Ramadani është kthyer në nivelin e tij maksimal, jo vetëm një “digë” në radhët e Lecces, por së fundmi veshi edhe petkun e “bomberit” duke realizuar një gol me shumë peshë përballë Cagliari-t, në atë që konsiderohej një ndeshje direkte për mbijetesën. Lecce doli me një trepikësh jetik nga kjo transfertë ku golin e dytë dhe të qetësisë e realizoi pikërisht mesfushori kuqezi. Në minutën e 76-të, Ramadani me një goditje të bukur nga distanca dyfishoi shifrat duke hipotekuar fitoren 0-2.
Pas ndeshjes, Ramadani u vlerësua nga mediat italiane me notën 7. Nuk i fshehu emocionet për këtë gol futbollisti kuqezi: “Lufta për mbijetesë po bëhet gjithnjë e më e fortë. Ishim të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj transfertë, kjo fitore na jep qetësinë e duhur për t’u përballur me Inter. Kemi shumë dëshirë për të dhënë maksimumin për këtë fanellë. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për Leccen dhe për tabelën e klasifikimit. Ky gol me bën dyfish më të lumtur, ja dedikoj bashkëshortes time e cila është shtatzënë”, u shpreh ndër të tjera Ylber Ramadani.
