Pas 11 vitesh, Prokuroria e Elbasanit arriti të provonte përmes analizës së AND-së se eshtrat e gjetura në fshatin Babje të Librazhdit në shkurt të 2015 i përkisnin shtetasit Enton Janushi, i zhdukur pa gjurmë në afërsi të shtëpisë së tij në zonën e Liqenit në Tiranë.

Por pavarësisht kësaj, duket se familja e Janushit që njihet edhe si Taulant Maze e vë në diskutim këtë konkluzion për shkak se ka depozituar në prokurori një kërkesë për zhvarrim dhe kryerje të analizës së AND-së me ekspertë të pavarur. Fillimisht familja kërkoi marrjen e eshtrave, por më pas u tërhoq dhe paraqiti kërkesën, e cila ende nuk është vendosur nga institucioni i akuzës nëse do të merret ose jo në konsideratë.

Por paralelisht më këtë lëvizje të familjes së viktimës, Prokuroria e Elbasanit vendosi ta kalojë çështjen për kompetencë në organin e akuzës në Tiranë, për shkak se Janushi u zhduk pa gjurmë mesditën e 19 Janar 2015, ku për herë të fundit u pa pranë Liqenit të Thatë në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

Institucioni i akuzës në kryeqytet, duket se refuzon ta hetojë rastin, pasi shkak se pretendon se meqë eshtrat janë gjetur në Librazhd, është kompetencë e Elbasanit për ta hetuar.

Prokuroria e Tiranës e ka përcjellë dosjen në prokurorinë e përgjithshme që të përcaktojë se kujt i përket kompetenca për hetimin e rastit.

Enton Janushi u zhduk pa gjurmë tri ditë pasi u arratis nga Holanda, ku dyshohet se mbrëmjen e 16 janarit 2015 ishte përfshirë në vrasjen e vëllezërve Florenc dhe Glevis Tola nga Elbasani, të cilat u gjendën të masakruar në një banesë në periferi të qytetit të Roterdamit në Hollandë, në lagjen e njohur si e ‘bullgarëve’.

Lidhur me këtë ngjarje Janushi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet holandeze. Hetuesit dyshojnë se ai u rrëmbye dhe u vra për motive hakmarrje që lidhet me ekzekutimin e vëllezërve Tola.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb