Mbrëmje spektakolare në Principatë, aty ku PSG realizoi një përmbysje të madhe, duke mposhtur Monacon me rezultatin 3-2 në transfertë. Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe për kampionët e Europës. Vetëm 58 sekonda lojë dhe Monaco kalon në avantazh: gabim në dalje i Nuno Mendes, topi përfundon te Golovin, krosim perfekt dhe Balogun nuk fal për 1-0. PSG mundohet të reagojë me Kvaratskhelian, por mbrojtja pariziene vazhdon të lëkundet. Në minutën e 18-të, Akliouche gjen sërish Balogun me një pasim vertikal dhe është 2-0 për vendasit.
Sfida rrezikon të marrë një drejtim dramatik për skuadrën e Luis Enrique, sidomos kur Vitinha humbet një penallti në minutën e 21-të, të pritur nga Köhn. Por pikërisht aty nis kthesa e madhe.
Dëmtimi i Dembélé dhe aktivizimi i Doué ndryshojnë gjithçka. I riu francez shënon nga një kënd thuajse i pamundur për 2-1 dhe pak minuta më vonë nis aksionin që çon te barazimi: goditje e fortë dhe Hakimi shtyn topin në rrjetë për 2-2 në minutën e 41-të.
Në pjesën e dytë vjen momenti vendimtar. Golovin ndëshkohet me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Vitinhas dhe Monaco mbetet me dhjetë lojtarë që në minutën e 48-të. PSG merr kontrollin e plotë të lojës dhe përmbys gjithçka me golin e dytë personal të Doué, një goditje tokazi precize që mposht Köhn.
Në fund, parizienët i afrohen edhe golit të katërt me Barcola, por rezultati mbetet 3-2. PSG konfirmon forcën dhe karakterin, duke marrë një fitore të madhe në ndeshjen e parë europiane mes këtyre dy skuadrave. Tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit, pas një jave, në Paris.
Në përfundim të ndeshjes, tekniku Luis Enrique përgëzoi djemtë e tij për arrritjen e këtij sukese me përmbysje, që sipas spanjollit ishte tepër i vështirë:
“Normalisht, kur një skuadër e nis një ndeshje në atë mënyrë, rezultati më i mundshëm është humbja,” tha Luis Enrique.“Ishte katastrofike. Është e pamundur ta fillosh një ndeshje në atë mënyrë. Dy herët e para që ata e thyen presionin tonë dhe hynë në gjysmën tonë, shënuan. Bënë disa aksione shumë të mira. Pas kësaj, është e vështirë të kesh besim, por ne treguam forcën tonë mendore.”Duke marrë parasysh si nisi ndeshja, jam i kënaqur me rezultatin. Por ndeshja në Paris do të jetë e vështirë, do të jetë një histori krejtësisht tjetër.”
