Partizani ka hyrë në fazën më vendimtare të sezonit, aty ku do të përcaktohet jo vetëm pozicioni final në renditje, por edhe suksesi apo dështimi i një kampionati që ka kaluar mes uljeve dhe ngritjeve për të kuqtë. Pesë ndeshjet e mbetura në Superiore do të jenë vendimtare për fatin e kryeqytetasve në garën për “Final Four”, me skuadrën që tashmë nuk ka më shumë hapësira për gabime pas serisë negative të javëve të fundit.
Kalendari rezervon përballje të ndryshme në nivel vështirësie, por ajo që bie në sy është se Partizani do të përballet me kundërshtarë ndaj të cilëve në pjesën më të madhe të sezonit ka pasur bilanc pozitiv. Sfida e parë për ekipin e Oltijon Kërnajës do të jetë ndaj Bylisit në “Arena e Demave”, një kundërshtar ndaj të cilit Partizani ka regjistruar maksimumin në këtë sezon me tre fitore në tre përballje dhe nëntë pikë të plota.
Statistikat tregojnë një dominim të qartë të të kuqve ndaj ballshiotëve, megjithatë përballja vjen në një moment ku kundërshtari lufton për mbijetesë dhe kjo e rrit ndjeshëm nivelin e vështirësisë së ndeshjes. Në letër mbetet sfida më e favorshme e kalendarit të mbetur për Partizanin. Më pas vjen derbi ndaj Tiranës në “Air Albania”, një ndeshje që tradicionalisht ka peshë specifike më të madhe se tri pikët. Edhe në këtë sezon Partizani ka bilanc pozitiv ndaj rivalëve të qytetit me dy fitore dhe një humbje në tre përballje, duke grumbulluar gjashtë pikë. Megjithatë, derbi mbetet gjithmonë një ndeshje më vete, ku statistikat shpesh humbin vlerë dhe aspekti emocional merr rol vendimtar. Për më tepër, Tirana gjithashtu ka objektivat e saj dhe do të luftojë fort.
