Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister, doli sot në një konferencë për mediat ku përcolli mesazhe të qarta për klasën politike shqiptare, duke theksuar nevojën për përshpejtim të reformave dhe zbatim konkret të ligjeve.

Ai deklaroi se ka ende shumë për t’u bërë në drejtim të zbatimit të legjislacionit dhe forcimit të institucioneve. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit duhet të mbetet prioritet, pasi megjithëse është arritur progres, rezultatet nuk janë ende në nivel të kënaqshëm. McAllister përmendi edhe faktin se Shqipëria ka humbur 11 vende në renditjen e Transparency International, duke theksuar se ndërhyrjet politike duhet të shmangen dhe se politikanët duhet të japin shembullin e respektimit të institucioneve.

Një tjetër pikë e rëndësishme e mesazhit të tij ishte reforma zgjedhore. Ai kërkoi që ndryshimet të bëhen në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve dhe të jenë gjithëpërfshirëse, duke zbatuar plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

McAllister theksoi gjithashtu rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik. Ai kërkoi transparencë nga drejtuesit e mediave dhe mbrojtje të gazetarëve nga presionet politike dhe sulmet. Në përfundim, ai nënvizoi se miratimi i ligjeve nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen në praktikë, duke bërë thirrje për bashkëpunim konstruktiv mes institucioneve dhe forcave politike për të çuar përpara procesin e reformave.

“Ka ende shumë për t’u bërë me komunitetin shqiptar dhe në zbatimin e këtij legjislacioni. Dëshiroj të ngre tre argumente që janë të rëndësishme për Parlamentin Europian. Ekziston nevoja për të ruajtur forcën lëvizëse në luftën kundër korrupsionit. Shumë është arritur në këtë fushë, por ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Shqipëria ka humbur 11 vende sipas Transparency International. Duhet të mos ketë ndërhyrje politike dhe politikanët duhet të japin shembullin duke mos ndërhyrë.

Duam të shohim një reformë reale në fushën zgjedhore, e cila të bëhet në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve dhe të jetë gjithëpërfshirëse. Duhet të hyjnë në zbatim të plotë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Së treti, dëshirojmë të shohim më shumë përpjekje për lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik. Kërkohet transparencë edhe nga drejtuesit e mediave, si dhe mbrojtje e gazetarëve nga politika dhe nga sulmet.

Të gjitha këto kërkojnë bashkëpunim konstruktiv. Nuk mjafton vetëm miratimi i legjislacionit; që të ndihen efektet, reformat duhet të vihen në zbatim. E vlerësoj shumë punën e Shqipërisë në kuadër të politikës europiane.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: