Kadri Veseli ka mbajtur fjalën e tij përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po përballet me akuza për krime të pretenduara gjatë Luftës së Kosovës.
Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Veseli theksoi se rikthimi i tij në Kosovë ishte i motivuar nga bindja dhe detyrimi moral ndaj vendit, e jo nga urrejtja.
“Jam kthyer jo me urrejtje në Kosovë, por me bindje. U ktheva se ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim. Nuk mund të rrija indiferent ndaj vuajtjeve të popullit tim”, u shpreh ai.
Veseli tha se gjatë muajve të fundit ka parë se sa lehtë, sipas tij, nënvlerësohet ndalimi i një konflikti, duke shtuar se historia tregon se ata që vendosin paqen shpesh përballen me pasoja.
Duke iu referuar krijimit të Gjykatës Speciale, ai theksoi se ajo është rezultat i një debati të gjerë në Kosovë dhe se procesi duhet të udhëhiqet nga paanshmëria dhe vlerësimi objektiv i rrethanave në të cilat janë ndërmarrë veprimet.
“Unë qëndroj me bindje në këtë proces se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë”, deklaroi Veseli.
Ai shtoi se është i bindur për integritetin e veprimeve të tij. “Unë e di kush jam, çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mia kanë qenë ligjore, historia ime është transparente, ndërgjegjja ime është e pastër”, tha ai para gjykatës.
Në fund të fjalës së tij, Veseli përshëndeti qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të Pavarësisë.
“Dje ka qenë Pavarësia e Kosovës. Urime Pavarësinë, ta gëzoni lirinë dhe Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë”, përfundoi ai.
