Rexhep Selimi ka mbajtur fjalën e tij përmbyllëse në Tribunalin e Hagës, ku po përballet me akuza për krime të pretenduara gjatë Luftës së Kosovës, duke kërkuar shpalljen e pafajësisë dhe duke kundërshtuar bazën e akuzave të ngritura nga prokuroria.

Në fjalën e tij para trupit gjykues, Selimi tha se kjo ishte hera e tretë dhe shpreson e fundit që merrte fjalën në sallën e gjyqit, duke theksuar se pesë vitet e fundit kanë qenë të vështira jo vetëm për të, por edhe për historinë e Kosovës.

“Le të shërbejë gjithë kjo si mundësi dhe shans për drejtësinë. Shpresoj se trupi gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për të kuptuar se lufta ka qenë e drejtë dhe pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë”, u shpreh ai.

Selimi deklaroi se që në fillim është përballur me një aktakuzë që e konsideron të pabazuar, duke shtuar se rrjedha e procesit, sipas tij, ka treguar se akuzat ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve janë të padrejta.

“Unë jam këtu sot për t’ju kërkuar që ta ushtroni drejtësinë. Prokuroria mbështetet në akuza që nuk kanë në bazë të vërtetën dhe kanë njollosur një luftë që ishte çlirimtare”, tha Selimi, duke theksuar se sipas tij, në këtë proces është vënë në shënjestër jo vetëm shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, por edhe vetë qëllimi i saj – pavarësia e Kosovës.

Në vijim të deklaratës, ai iu referua kontekstit të luftës në Kosovë, duke përmendur veprimet e regjimit të Sllobodan Millosheviçit ndaj shqiptarëve.

“Kur Serbia dhe Millosheviçi vrisnin moshatarët e mi, helmonin nxënës e studentë, largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale dhe zbatonin spastrim etnik, çfarë duhet të bënim ne? Të mos reagonim?”, u shpreh Selimi.

Ai theksoi se UÇK-ja, sipas tij, nuk u krijua nga dëshira për konflikt, por nga nevoja për mbijetesë. “UÇK-ja nuk ishte aventurë, por mbijetesë. Ishte një ushtri 100% vullnetare, nga njerëz që u detyruan të merrnin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb