Supermodelja britanike Naomi Campbell ka reaguar publikisht pasi emri i saj u përmend në dokumentet e reja të publikuara në kuadër të hetimeve federale lidhur me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, emri i modeles 55-vjeçare shfaqet në qindra dokumente që lidhen me rrjetin e Epstein. Pas publikimit të materialeve, Campbell reagoi përmes rrjeteve sociale, duke mohuar çdo përfshirje në veprime të paligjshme.

E kam thënë në vitin 2019 dhe e them sërish tani: “mos më akuzoni kur nuk kam bërë asgjë të gabuar”, -u shpreh ajo, duke theksuar gjithashtu se qëndron në solidaritet të plotë me viktimat. Ekipi i saj ligjor hodhi poshtë çdo pretendim për sjellje të pahijshme, duke konfirmuar se modelja e kishte njohur Epstein për vite me radhë, përfshirë edhe periudhën pas dënimit të tij në vitin 2008.

Megjithatë, avokatët deklaruan se Campbell nuk kishte dijeni për aktivitetet kriminale të tij dhe se nuk kishte pasur kontakte me të pas arrestimit të tij në vitin 2019. Sipas mbrojtjes së saj, nëse modelja do të kishte qenë dëshmitare e ndonjë situate ku dikush po viktimizohej, ajo do të kishte ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar.

Dokumentet e publikuara përfshijnë referenca për Campbell në korrespondenca, email, ftesa për evente dhe shënime udhëtimi, duke treguar se ajo dhe Epstein kanë qenë në kontakt për disa vite. Disa persona kanë pretenduar gjithashtu se e kanë parë modelen në ambiente apo evente të lidhura me financierin. Megjithatë, sipas dosjeve, nuk ekzistojnë prova që e lidhin Naomi Campbell me ndonjë aktivitet kriminal dhe ajo nuk është akuzuar për shkelje ligjore. Modelja ka mbajtur të njëjtin qëndrim që prej vitit 2019, duke dënuar veprimet e Epstein dhe duke mohuar çdo përfshirje personale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb