Një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes* i tha Radios Evropa e Lirë se, aktualisht, nuk ka ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave amerikane.

“Sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”, tha ai në përgjigjen me shkrim.

REL-i kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, pasi gazeta amerikane Politico – duke cituar katër diplomatë të NATO-s – tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

Në komentet për REL-in, një zyrtar i NATO-s tha se Shtetet e Bashkuara luajnë rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

Megjithatë, ai theksoi se autoritetet amerikane janë adresa për më shumë hollësi.

Ai shtoi se SHBA-ja, aktualisht, i ka rreth 600 trupa të angazhuara në misionin e KFOR-it dhe se e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje.

Komanda Rajonale Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.

REL-i kërkoi komente në lidhje me raportimet e Politico-s edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, dhe është në pritje të përgjigjeve.

Çfarë thuhet në artikullin e Politico-s?

Sipas Politico-s, në muajt e fundit, Uashingtoni ka lobuar për reduktimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të përfundojë misioni në Irak dhe që aleatët nga Indo-Paqësori të mos marrin pjesë në samitin vjetor të aleancës që mbahet në Ankara të Turqisë në korrik.

Ky raportim vjen pasi, vitin e kaluar, ishin ngritur shqetësime në mesin e shteteve evropiane se SHBA-ja mund t’i tërhiqte plotësisht trupat e saj nga Evropa.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, atëbotë kishte porositur Evropën se duhej të përgatitej për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Megjithatë, tërheqje të plotë nuk pati, dhe në tetor SHBA-ja njoftoi për tërheqjen e disa trupave nga Rumania. Kjo tërheqje u tha se ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së që të përqendrohet në Indo-Paqësor.

SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb