Ish-trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, beson se biatloni është sporti që kombinon në mënyrë perfekte aspektet fizike dhe mendore.

Klop, i cili të martën ra kambanën e xhiros së fundit në Anterselva gjatë garës së stafetës për meshkuj në biatlon, është deklaruar një tifoz i madh i këtij sporti. “Është kombinimi më i mirë i të gjitha aspekteve fizike dhe mendore të sportit, gjithçka në një. Dikush vrapon deri në kufijtë e fundit të fuqisë, pastaj i jep një pushkë. Nëse më pyet mua, nuk e di kush e pati këtë ide, por mua më ka pëlqyer prej kohësh”, tha ai për organizatorët e Lojërave Olimpike.

Ish-trajneri i Liverpulit shprehu admirim të madh për biatletët: “Sa më pak i aftë jam në diçka, aq më shumë respekt kam për të. Është e jashtëzakonshme qëndrueshmëria që ata tregojnë. Është një shembull i vazhdueshëm i rindezjes dhe rifokusimit. Një sfidë e vërtetë për mua do të ishte të isha në serinë e fundit të qitjes, të humbisja dy të shtëna dhe megjithatë të duhej ta përfundoja garën me të gjitha forcat. Është diçka e madhe. Nuk e di si bëhen këto gjëra, është si të jesh duke humbur 8-0 në një ndeshje kur kanë mbetur 10 minuta, por gjithsesi duhet ta luash deri në fund”.

Gjermani, i cili për herë të parë ndoqi Lojërat Olimpike në Mynih 1972, të cilat i përshkruan si “të jashtëzakonshme” dhe gjithashtu ishte i pranishëm verën e kaluar në Lojërat Paralimpike në Paris, sheh në këtë sport një burim frymëzimi për jetën e përditshme. “Këta njerëz janë modele për t’u ndjekur. Ata përballen me situata që ne i hasim çdo ditë, vetëm se me një kod tjetër. Jam një tifoz i madh i sportistëve, i qëndrimit të tyre dhe i gjithçkaje që sporti mund të na mësojë për jetën. Kur shikon Lojërat Olimpike, në një moment kaq të vështirë për botën, ato ende kanë vendin e tyre dhe ruajnë të njëjtën atmosferë e frymë. Të gjithë jemi miq, konkurrojmë kundër njëri-tjetrit, por jemi miq, dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që mund të marrësh”.

Në fund, ai pranoi se duhet të përmirësohet në qitje: “Dje provova të qëlloja. Godita tre herë në shenjë, por pranë meje ishte një vajzë gjashtëvjeçare dhe ajo goditi pesë. Kështu që nesër do të përpiqet të më mësojë”, përfundoi trajneri legjendar i futbollit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb