Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar hapësirë protestës kombëtare të opozitës në Tiranë, ku u kërkua largimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama pas akuzave ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë nën akuzë nga SPAK për abuzime të dyshuara me tendera publikë.
“Akuzat për korrupsion shkaktojnë përleshje në Shqipëri midis policisë dhe protestuesve”, shkruan Reuters, duke raportuar për tensionet e mbrëmjes, ku sipas saj demonstruesit hodhën bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Sipas Reuters, mijëra mbështetës të Partia Demokratike brohorisnin “Rama, ik” dhe “Rama në burg”, duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe partiakë. Agjencia citon edhe kreun e PD-së, Sali Berisha, i cili deklaroi se “ditët e Edi Ramës janë të numëruara”, duke paralajmëruar se përgjegjësit do të përballen me ligjin.
Edhe Associated Press i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve, me titullin: “Zjarr, fishekzjarrë, gaz lotsjellës dhe shpërthime gjatë protestës antiqeveritare në kryeqytetin e Shqipërisë.”. Në artikull theksohet se demonstrata u nxit nga akuzat për korrupsion ndaj Ballukut e cila, sipas prokurorëve antikorrupsion, dyshohet për ndërhyrje në prokurimet publike për projekte të mëdha infrastrukturore dhe favorizim të kompanive të caktuara — akuza që ajo i ka mohuar.
AP shton se gjatë protestës u dëgjuan shpërthime dhe pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit në një klimë të tensionuar politike që, sipas raportimeve, është përshkallëzuar muajt e fundit.
