Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar për kontrollin e befasishëm të ushtruar në qelinë e klientit të tij, pak minuta pasi ky i fundit publikoi letrën drejtuar Belinda Ballukut.
Në një prononcim për News24, Ndreca tha se ishte njoftuar drejtpërdrejt nga Veliaj për kontrollin, i cili, sipas tij, u krye menjëherë pas publikimit të letrës në media.
Avokati e cilësoi këtë veprim si një përpjekje për intimidim, duke pretenduar se kontrolli nuk ishte rutinë dhe se synonte të ushtronte presion ndaj kryebashkiakut.
Ai theksoi se Veliaj ndodhet në kushte të vazhdueshme mbikëqyrjeje, me një punonjës policie në derën e qelisë dhe i shoqëruar gjatë gjithë kohës.
“Zoti Veliaj më komunikoi në tetelfon këtë fakt që direkt pas publikimit të letrës në media ka shkuar një kontroll blic nga drejtoria e Fierit. Dhe më ka komunikuar nga telefoni i burgut. Më ka njoftuar këtë informacion që tregon mënyrën se si sillet administrata e burgut dhe lidhjes së qartë të mendimit të zotit Veliaj. Ndërkohë që ai është i izoluar, ka një polic tek dera gjithë kohës dhe shoqërohet gjithë kohës me polic. Përsëri nuk mjaftojnë këto masa izoluese , dhe kontrolli ka pasur si qëllim intidimin. Për kontrollin kanë thënë se “thjesht kemi urdhër, madje kanë shtuar që mund të vijnë nga Tirana për të bërë kontroll. Këto nuk janë kontrolle rutinë, janë të lejueshme, por jo rutinë. Për më tepër që zoti Veliaj nuk është i të burgosurit e tjerë, ka një polic gjithë kohës tek dera, ëshë e pamundur që zoti Veliaj të ketë gjëra të paligshme në qeli sepse kjo do të ishte dështim i plotë i administratës”, tha ai.
