Rreth 300 hektarë sera në fshatin Goriçan, pjesë e bashkisë Dimal, vijojnë të jenë nën ujë prej tre ditësh, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori. Fermerët deklarojnë se përmbytja erdhi si pasojë e hapjes së portave të digave dhe se prodhimi është kalbur për të disatën herë brenda pak muajsh.

Goriçani është prekur shtatë herë nga përmbytjet e njëpasnjëshme gjatë muajit dhjetor 2025 dhe fillimit të vitit 2026. Përmbytja e fundit, e ndodhur tre ditë më parë, la nën ujë serat e mbjella me domate, speca, lakra, tranguj dhe kultura të tjera. Sipas fermerëve, uji arriti deri në një metër lartësi brenda serave, duke shkatërruar totalisht prodhimin. Pamjet tregojnë perime të shkulura dhe të hedhura në kanale, pasi janë dëmtuar nga qëndrimi i gjatë në ujë.

Përveç kulturave bujqësore, dëme të rënda ka pësuar edhe një fermë me dele dhe qengja, ku rreth 70 krerë u morën nga uji bashkë me rezervat ushqimore. Fermerët e zonës shprehen se dëmet janë të pallogaritshme dhe se shumë prej tyre kanë falimentuar, pasi serat janë përmbytur katër herë radhazi brenda dy muajve, ndërkohë që jetesën e sigurojnë vetëm nga këto kultura.

Ata kërkojnë mbështetje financiare dhe dëmshpërblim nga shteti, duke theksuar se ndonëse dëmet janë verifikuar disa herë, deri më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë. Sipas tyre, rikuperimi i tokës dhe nisja e një cikli të ri prodhimi do të jetë e mundur vetëm pas dy deri në tre muajsh, kur toka të thahet plotësisht. Fermerët kërkojnë gjithashtu ndërtimin e një argjinature mbrojtëse për të shmangur përmbytje të tjera në të ardhmen, duke apeluar për ndërhyrje urgjente për të shpëtuar ekonominë e zonës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: