Inspektori i Lartë i Drejtësisë nis hetimin për gjyqtaren e Posaçme Irena Gjoka, e cila rezultoi se fshehu një dënim penal në Greqi për përdorim vize të falsifikuar.
Në një shkresë të firmosur nga kryeinspektori Artur Metani në përgjigje të një kërkese të Ardiana Kalasë thuhet se “pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj ka konkluduar se ekzistojnë dyshime të arsyeshme që magjistratja Irena Gjoka ka kryer veprime ose mosveprime, të cilat referuar ligjit “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” përbëjnë shkelje disiplinore.
Për këtë arsye është vendosur fillimi i hetimit disiplinor me iniciativë dhe me nistë të ankuesit ndaj magjistrates Irena Gjoka”.
ILD tha më tej për News 24 se është kërkuar informacion nga Këshilli i Lartë GJyqësor, Prokuroria e Përgjithshme, por edhe Prokuroria e Posaçme lidhur me rastin në fjalë.
Pas verifikimit të thelluar prokuroria e Përgjithshme i përcolli Këshillit të Lartë Gjyqësor rezultatet nga të cilat konfirmohej se Irena Gjoka ishte dënuar në Greqi me burgim dhe gjobë për përdorim vize të falsifikuar.
Qeveria e gjyqësorit nuk mori vendim për ndërprerjen e statusit të magjistrates, por vendosi që më kërkesën e njërit prej anëtarëve t’ja përcjellë rastin ILD-së.
SPAK nga ana tjetër ka regjistruar procedim penal për veprën penale të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, por ende nuk ka vendimmarrje.
