Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, është përballur me një sërë pyetjesh dhe akuzash nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimeve në Tiranë. !Gjatë diskutimeve në Kuvend, Tabaku i kërkoi ministrit të japë shpjegime për shpërndarjen e policisë në protesta, duke e pyetur konkretisht për personat civilë që, sipas saj, kanë tërhequr zvarrë qytetarët.

“Zoti Demo, ju kam nisur një shkresë sa i përket shpërndarjes së policisë në protesta. Keni refuzuar t’i përgjigjeni kësaj kërkese. Cilët ishin civilët që tërhoqën zvarrë qytetarët e Tiranës? A keni dijeni për Kartën e të Drejtave të Njeriut, ku detyrohet policia të ushtrojë proporcionalitet gjatë ndërhyrjeve?”, e pyeti Tabaku.

Edhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ngriti akuza të forta ndaj ministrit, duke e bërë përgjegjës për dhunën policore ndaj protestuesve. Ai solli në vëmendje rastin e të riut Enea, i cili sipas tij është dhunuar nga shefi i Komisariatit nr. 1, dhe kërkoi përgjegjësi nga Demo për dëmtimet e raportuara te protestuesit.

“Zoti ministër, faleminderit që erdhët, sepse kemi kohë që ju kërkojmë. Një djalë i ri, Enea, është dhunuar nga shefi i Komisariatit nr. 1. Zoti ministër, a mbani ju përgjegjësi për dhunën? Janë me qindra të rinj dhe të reja që u kanë thyer kockat, hundët, nëpër komisariate dhe furgona. Pse nuk mbani përgjegjësi? Ku jeni ju, të njëjtët që i dhunojnë në rrugë dhe më pas u shkojnë në komisariate dhe i kërcënojnë? Do të mbani përgjegjësi, sepse dhunën nuk e ushtrojnë ata, por ti dhe Edi Rama, kjo maxhorancë”, deklaroi Shehaj.

Në përgjigjen e tij, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, tha se nuk mund të japë përgjigje konkrete për raste individuale, pasi ato duhet të hetohen nga institucionet përkatëse. Ai pretendoi se gjatë protestave ka pasur edhe akte dhune ndaj institucioneve shtetërore, Policisë së Shtetit dhe bizneseve private. “Për pyetje specifike që lidhen me rrethanat e individëve të caktuar, nuk mund të jap përgjigje konkrete, sepse duhet të hetohen. Më vjen keq që zgjedhim vetëm një pjesë të asaj që ne shohim. Do të ishte e pafalshme për një parti politike që nuk dënon dhunën dhe për ditë të tëra nuk ka thënë asnjë fjalë për atë që ndodhi prej disa ditësh në Tiranë”, u shpreh Demo.

Ministri e cilësoi situatën si emergjente, duke pretenduar se institucionet shtetërore, policia dhe bizneset private kanë qenë objekt i sulmeve. Ai theksoi se Policia e Shtetit ka pasur detyrimin të ruajë rendin dhe të zbatojë ligjin. Sa i përket pretendimeve për përdorim joproporcional të forcës, Demo tha se qëndrimi i tij ka qenë që në ditën e parë që policia të veprojë në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

FJALA E DEMOS
E nderuar drejtuese e seancës, falënderoj kolegët deputetë për pyetjet.

Kuptohet që pyetje specifike për rrethana të individëve të caktuar patjetër që unë nuk mund të jap përgjigje për raste të konkrete, sepse duhen bërë verifikimet. Por do mundohem t’ju jap disa përgjigje.

Së pari, mua më vjen shumë keq që ne bëjmë sikur kemi një lloj filtri për sa i përket ngjarjeve që ndodhin në Tiranë dhe zgjedhim vetëm një pjesë të asaj çfarë ne shohim. Do të ishte, besoj, e pafalshme për çdo parti politike, e cila nuk dënon dhunën, pikë së pari, dhe aq më tepër për ditë të tëra nuk ka dhënë asnjë fjalë për ato ngjarje të rënda që kanë ndodhur në Tiranë.

Tani, për sa i përket emergjencës, duhet të kuptojmë që në momentin që akti normativ ka dalë, institucionet shtetërore, Policia e Shtetit, bizneset private, institucionet e pavarura, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Banka e Shqipërisë, kanë qenë nën një sulm barbar. Nëse kjo është jo një situatë emergjente, unë nuk di se çfarë duhet të ndodhi në Tiranë për të kuptuar që dhuna që ushtrohet ndaj sistemit juridik, në fakt, është jashtë normalitetit.

Patjetër që ka pasur raste kur persona, të cilët kanë kryer akte dhune janë shoqëruar, patjetër që ka pasur reagim nga forcat e policisë për të ruajtur rendin kushtetues dhe zbatuar ligjin. Sepse ajo është detyrë e Policisë së Shtetit kur ka shkelje të ligjit, duhet të veprojë në proporcionalitet dhe absolutisht ju garantoj që qëndrimi im si Ministri i Brendshëm ka qenë konstant që në ditën 1, që Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin, Policia e Shtetit duhet të tregojë masa proporcionale në reagim dhe në ato raste kur ka pasur tejkalim të proporcionalitetit, ne kemi marrë masat e duhura.

Mos të harrojmë që janë pezulluar 9 punonjës policie gjatë protestave. Mos të harrojmë që sot që ne flasim, agjencia për sa i përket kontrollit mbi Policinë e Shtetit ka 50 raste të cilat janë duke u hetuar nga pikëpamja administrative. E mos të harrojmë në të njëjtën kohë që Policia e Shtetit, dhe AMP-ja, janë duke bashkëpunuar me prokurorinë për raste të cilat janë regjistruar në prokurori për aktet e dhunës.

Kjo është përgjegjësia politike e imja si ministër, por patjetër edhe e qeverisë shqiptare. Por ne ligjin duhet ta kërkojmë që të zbatohet nga të gjithë. Unë nuk diferencoj një punonjës policie që mban uniformën e Policisë së Shtetit, i cili mund të shkelë ligjin, nga një qytetar që shkel ligjin. Ligji është i barabartë për të dy. Kur flasim për të drejtën të protestuar, dhe e kam shprehur shpesh herë, dhe në fakt e besoj fort që detyra e Policisë së Shtetit është për të garantuar të drejtën e çdo qytetari që të protestojë paqësisht, por duhet të jemi të qartë: të protestojë paqësisht, mos të dhunojë as individë që ecin në rrugë, mos të dhunojnë as pronën private, mos të dhunojnë Policinë e Shtetit, mos të dhunojnë institucionet shtetërore apo ato të pavarura.

Nëqoftëse ne biem dakord për këtë, qytetarët kanë të gjithë të drejtën për të protestuar për çdo gjë kundër meje, kundër qeverisë, kundër kujtdo. Është e drejta e tyre. Dhe Policia e Shtetit duhet aty për ta garantuar këtë të drejtë kushtetuese. Dhe këtu nuk ka asnjë dyshim që nga dita e parë që jam Ministri i Brendshëm dhe deri tani jam i bindur që detyra jonë është të garantojmë këtë të drejtë. Por në të njëjtën kohë, ju jeni deputet, jeni një forcë politike, më e madhja opozitare, por ne duhet të mbajmë edhe pak përgjegjësi për sa i përket pozicioneve publike që ne mbajmë kundrejt dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë. Punonjësit e policisë nuk mbrojnë parti politike. Punonjësit e policisë mbrojnë atë çfarë ligji parashikon. Dhe në qoftë se ne nuk biem dakord që ligji duhet të zbatohet nga të gjithë, atëherë unë nuk e di çfarë debati jemi duke bërë?!

Jam i bindur që çdo qytetar, kur ndodhet në vështirësi, e do Policinë e Shtetit të jetë aty, çdo qytetar që ndihet i dhunuar e do Policinë e Shtetit që të ushtrojë forcë proporcionale për të mbrojtur jetën e qytetarëve, pronën e qytetarëve. Po pse nuk duhet Policia e Shtetit të veprojë në mënyrë proporcionale kur ushtrohet dhuna e institucioneve? Kur ushtrohet dhunë ndaj punonjësve të policisë, kur është kjo e drejtë e cila mbrohet vetëm në një krah?

Unë jam me të gjithë qytetarët të cilët protestojnë paqësisht dhe ju garantoj që si Ministri i Brendshëm, me të gjitha mekanizmat që kam në dispozicion, do të garantojmë këtë të drejtë. Por në të njëjtën kohë ne nuk mund të bëjmë si një vend i cili do ta aderojë në Bashkimin Europian, dhe nuk pranojmë që demokracitë të konsoliduara, këtu nuk e përmend askush, çfarë ka ndodhur në Itali, çfarë ka ndodhur në Francë, çfarë ka ndodhur në Spanjë, për sa i përket nismave ligjore që këto vende kanë ndërmarrë kur kanë qenë protestat gjatë javëve të fundit? I kanë ashpërsuar më shumë masat parandaluese të protestave. Disa herë më të mëdha, dhe në fakt kanë dhe masa shtrënguese që ne nuk i kemi fare. Po pse që nga Italia demokraci që bën këtë gjë dhe ne s’jemi? Pse që nga Franca vend demokratik dhe ne s’jemi? Pse që nga Gjermania vend demokratik dhe ne s’jemi? Pse që nga Spanja vend demokratik dhe s’jemi? Jo, ato janë vende demokratike sepse besojnë te një parim: opozita del dhe dënon dhunën. Këtu pse nuk del opozita? A ka dalë opozita një ditë të vetme të thotë jo, dhuna kundër institucioneve është e papranueshme? A keni dalë ju kur janë djegur punonjësit e Policisë së Shtetit dhe keni thënë jo, jeta e policisë së shtetit vlen?

Ata janë qytetarë pikë së pari, s’janë punonjës policie. Dhe si mundet, t’ju bëj një pyetje tjetër, se më bëtë disa pyetje, a është Partia Demokratike në dijeni dhe në organizim të grupeve të caktuara për të ushtruar dhunë në Tiranë? Faleminderit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: