Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, foli në lidhje me sfidat e mazhorancës në pushtet dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ai u shpreh se në këtë proces është dashur të kapërcehen shumë pengesa, ku me ironi i quajti “shkopinj nën rrota dhe bomba artizanale”, duke iu referuar edhe protestave të opozitës.
“Unë jam besimplotë që do ta kalojmë edhe këtë test. Edhe pavarësisht shkopinjve nën rrota dhe tymit të bombave artizanale – dhe nuk e kam fjalën vetëm për ato që plasin rrugëve të dëshpërimit të pamëshirshëm opozitar, por për të gjitha ato bomba artizanale që plasin përditë, duke hedhur përpjetë kapakët e 700 tenxhereve mediatike. E ka thënë populli, thonë qysh prej kohësh: kur gënjeshtra bën xhiron e botës, e vërteta s’kishte veshur akoma pantallonat. Por atëherë nuk kishte ardhur flama e kanaleve; e vetmja tenxhere mediatike ishte tellalli i gënjeshtrave.
Sot tellallët janë pas çdo butoni që shtyp për të marrë vesh ndonjë haber. Por s’kemi ç’t’i bëjmë sot tellallit të madh që na solli jeta. Ndaj duhet ta rrisim me çdo kusht përqendrimin në punët tona, të mëdha e të vogla, të shtojmë forcat tona. Të përpiqemi edhe më shumë këmbëngulje që të vetëkorrigjohemi dhe përmirësohemi. Jepni ide që të debatojmë së brendshmi, hapur, pa dorashka. Pas debatit dhe ndarjes së opinioneve me njëri-tjetrin, të përqendrohemi në një pikë, dhe në asnjë tjetër: Shqipërinë në BE në vitin 2030”, tha ai.
