Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me mbledhjen e mbajtur sot nga socialistët, ku pritej një vendim sa i përket imunitetit të Belinda Ballukut, por që asnjë vendim nuk u bë publik.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se kryeministri Rama kërkon të fitojë më shumë kohë, për faktin që tha se një qëndrim do të mbahet kur të njihet me raportin e deputetëve.
Postimi i plotë:
Nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje. Tani kërkon edhe dy javë të tjera për gjoja një raport të deputetëve të vet, për të cilin urdhrin do ta japë po vetë.
Por çfarë ka për t’u analizuar kaq gjatë?
Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro, të firmosura nga Belinda Balluku, me urdhër apo dijeni të Edi Ramës. Një pjesë janë projekte publike që sot po shemben dhe po bllokojnë qytetarët kudo në vend.
Janë 16 mijë faqe prova ku faktohet korrupsioni i neveritshëm i qeverisë dhe administratës së lartë të Edi Ramës.
Janë mjaftueshëm përgjime që faktojnë shantazhin mafioz ndaj dëshmitarëve në proces, përmes të fortëve, parave të pista dhe presionit ndaj familjes.
Pra, pse kërkon të blejë akoma kohë Edi Rama? Pse sulmon drejtësinë? Pse pengon drejtësinë?
Sepse nuk bëhet më fjalë thjesht për Belinda Ballukun. Në lojë është personalisht Edi Rama. Rolin e tij në vendimet se kush i fiton tenderat, e kemi parë e zeza mbi të bardhë në dosjen antikorrupsion të SPAK-ut.
Fatkeqësisht për Edi Ramën, koha nuk ndryshon faktet. Shtyrja nuk ndryshon përgjegjësinë. Sa më shumë të zvarritet vendimi, aq më e qartë bëhet se problemi nuk është tek hartimi i raportit të shumicës, por tek frika e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.
Mesazhin e ka marrë shumë të qartë: çështja e Belinda Ballukut është test për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Integrimi nuk matet me fjalime (anti) “revolucionare”, por me akte që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin.
Kur pushteti zvarritet për të mbrojtur veten, qytetarët nuk kanë arsye të presin.
Prandaj, 28 shkurti, ora 18:00, është dita kur frika e pushtetit do të përballet përsëri me vendosmërinë e qytetarëve. Është dita e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa.
