Që pas ngërçit që u krijua për 11 ditë me radhë në aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas, në Doganën e Bllatës në Dibër, këtë të martë ka pasur trafik të rënduar, pasi aty vijojnë të qarkullojnë automjetet të shumta, por edhe mjetet e tonazhit të rëndë. Mjetet e rënda të ngarkuara me mallra kalojnë përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës drejt Maqedonisë së Veriut, duke u futur në Bllatë dhe më pas në Rrugën e Arbrit, drejt qyteteve te vendit që nuk lidheshin dot me juglindjen.
Transportuesit kërkojnë përshpejtim të procedurave dhe shtim të sporteleve, në mënyrë që të shmangen vonesat, të cilat rrisin kostot për kompanitë dhe ndikojnë në furnizimin e tregut.
Qarkullimi në Pikën e Kalimit Kufitar të Bllatës rëndohet edhe për shkak të rrugës së dëmtuar në anën shqiptare, një gjendje krejt e ndryshme nga ajo në territorin e Maqedonisë së Veriut. Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kërkoi publikisht të investohet në hapjen e korsive të reja, si dhe për rritjen e kapaciteteve të kalimit.
