Gjatë emisionit “Në Shënjestër” u zbuluan detaje nga dosja hetimore e SPAK, ku sipas hetimit, është parë mënyra e sofistikuar se si janë menaxhuar kohë pas kohe të ardhurat financiare që ky grupim kriminal ka mundur të fitojë nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Protofoli prej 14 milion euro për llogari të Franc Çopja, nuk është rasti i parë i gjurmuar dhe i sekuestruar me sukses nga Prokuroria e Posaçme.

Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko ka theksuar se një tjetër portofol me kriptomonedha në vlerën 15 milion euro është sekuestruar, por që për arsye hetimi nuk bëhet e ditur se kujt organizate kriminale i përket.

“Përveç rastit që që ka të bëjë me një rast të vitit 2024, pra të vlerës në 11 milion dollarë në kriptovalutë teter dhe në llogaritë binancë, Prokuroria e Posaçme pas këtij operacioni duke përdorur edhe programe të avancuara të analizës së transaksioneve të kryera në kriptovalutë ka mundur të identifikojë edhe sasira të tjera në formën e kriptovalutave në një vlerë rreth 15 milionë euro, pra duke e bërë në total sasinë e kriptovalutave të sekuestruara në 26 milion euro në formën e teterit në llogaritë binancë”, thotë Dorina Bejko nga seksioni antikorrupsion në SPAK.

Por duke iu kthyer rastit të kapjes së sasive të mëdha të parave në një prej pikave të këmbimit valutor në Tiranë, që u zbulua pas bisedave të zhvilluara në Sky Ecc midis Franc Çopjas dhe Maklen Micit, edhe pse e pranojnë që numri i pikave të exchange në Shqipëri, ia kalon dyfish edhe Britanisë së Madhe, sërish ka nga ata që nuk e shikojnë si një fenomen të përhapur.

Sipas Dritan Vakaj, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Zyrave të Këmbimit Valutor, edhe pse rasti i fundit tregoi se agjencitë e këmbimit valutor përdoren nga organizatat kriminale, është gati e pamundur që pikërisht nga këtu të bëhet pastrimi i parave në formë të ligjshme.

Zyra të licencuara të këmbimit të valutor në Shqipëri janë mbi 650.

Ne nuk mendojmë që është një fenomen i përhapur. Janë raste që mund të jenë evidentuar edhe në media dhe nëse shikojmë edhe vlerësimin kombëtar të riskut të pastrimit të parave, zyrat e këmbimit valutor nuk janë vlerësuar me risk të lartë të pastrimit të parave.

A mund të kemi pastaj raste kur persona të caktuar mund të hapin, mund të blejnë ose të zotërojnë një zyrë këmbimi valutor në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë dhe pastaj këtë si aktivitet ta përdorin për pastrim të parave, patjetër ekziston si mundësi.

Megjithatë po të shikosh shifrat, po të shikosh evidencat, aktiviteti i tyre janë kryesisht biznese të vogla.

Por ai pranon se këto agjenci janë më të cënueshmet përsa i përket kërcënimeve që vijnë nga organizatat kriminale.

Edhe pse për të pastruar para brenda një agjencie të këmbimit valutor mundësia do të ishte zero, për shkak të limitit të vendosur të transaksioneve.

“Zyra e këmbimit valutor procesin e pastrimit të parave në vetvete nuk e mbyll dot. Pra nëse ke 100 mijë euro të paligjshme do i kthesh në lekë padiskutim që e ndihmon procesin dhe e vështirëson hetimin nga pikëpamja e agjencisë ligjzbatuese, humbet gjurshmërinë dhe element si këto, por sërisht do i kesh para të zeza, do i kesh të të papastra.

Padiskutim për shkak të numrit të lartë, të nivelit profesional mund të jenë vulnerabël për t’u kërcënuar nga individë të cilët mund ta shfrytëzojnë këtë vulnerabilitet të këtyre zyrave apo pamundësisë për të pasur sisteme të mirëfillta kundër pastrimit të parave, megjithatë jemi larg të qenurit fenomen”, Dritan Vakaj, nga shoqata Kombëtare e Zyrave të Këmbimit Valutor.

Por edhe përsa i përket kriptovalutave, të vetmit që mund të kenë mundësi për të krijuar një portofol janë organizatat kriminale.

Që e kanë gjetur si një mënyrë për të qenë më të qetë përsa i përket sigurisë së tyre.

Në një kohë kur edhe agjencitë ligjzbatuese janë bërë më investiguese në punën e tyre dhe e kanë ndalur fokusin pikërisht te kjo mënyrë e sofistikuar e investimit.

Zyra e këmbimit valutor nuk ofron kriptovaluta.

Por personat që zotërojnë zyrën e këmbimit valutor kanë pasur llogari në kripto nëpërmjet platformave të ndryshme.

Pra nëse flasim për ‘Lika’ shpk apo si e ka emrin zyra, këto transaksione o duhet të kryhen nëpërmjet sistemit bankar gjë që është e vështirë të ndodhë ne vlera të tilla ose do kryhen cash në zyrë.

Gjë që nuk rezulton të jetë kryer cash në zyrë, por janë kryer nëpërmjet transaksioneve në kripto  apo në cash nga zotëruesi i zyrës.

“Përsa i përket kriptomonedhave doja të thoja që mund të jenë e ardhmja e pastrimit të parave dhe mendoj që gjithmonë në këtë aspekt organet e zbatimit të ligjit, do jenë disa hapa mbrapa.

Sepse janë transksaksione shumë të shpejta, janë ndërkombëtare, dhe janë të kamufluara me disa shtresa sigurie, barriera sigurie, që është e vështirë t’i interceptosh dhe më pas t’i thyesh.

Dhe kjo sjellë në atë që zbulimi do të jetë disa vite mbrapa ngjarjes që ka ndodhur, pra pastrimit”, Ermal Yzeiraj, Jurist.

Por një nga skemat e cila gjerësisht njihet si një formë transaksioni e parave të krimit është edhe ‘Haëala’ e cila shërben për të financuar tregtarët e kokainës, nëpërmjet letrave ku shënohen shumat që duhen transferuar dhe korrierëve që kryejnë transfertat.

Ku ai që shërben si ndërmjetës është një njeri i besuar që mban shënime për çdo shumë që do të transferohet.

Ku SPAK arriti të dokumentojë se vetëm përgjatë 2 viteve nëpërmjet sistemit ‘Haëala’ në Shqipëri, janë transferuar miliona euro.

Apo nëpërmjet transaksioneve të kriptovalutave.

Para të cilat u provuan se me urdhër Ervis Çelës, ishin transferuar për llogari të organizatave të tjera kriminale të shtrira në Evropë, Emiratet e Bashkuara Arabe deri dhe në vendet e Amerikës Qendore dhe Amerikës Jugore.

Çka ka nxjerrë në pah edhe punën e vërtetë që bëjnë disa agjenci të këmbimit valutor në Shqipëri, të cilat edhe pse kanë qenë pjesë e inspektimeve të Bankës së Shqipërisë, kanë shërbyer si venddepozitime të parave të pista.

Dosja Hetimore

Ervis Çela i tregon vëllait të tij se ka grumbulluar më shumë se 100 milion euro. Ervisi i shpjegon se sapo ka nisur një punë të madhe, punë e cila dyshohet se i referohet tre kontenierëve të saponisur drejt një porti në Paraguaji.

Ervisi i dërgon dhe bisedën që ka realizuar me Petrit Lakatos me pseudonimin ‘Iphone’ i cili kërkon të bëjnë pushim pasi janë të lodhur nga shkarkimi i lëndëve narkotike.

Ndërkohë që Ervis Çela i shkruan se do të ‘mbysë Evropën me kokainë’.

Ervis Çela i shkruan të vëllait Albin Çela.

Ervis Çela: I bëre 30 mln euro?

Albin Çela: Rreth 1 milion euro janë kartëmonedha të vogla.

Llogari e dërguar nga Franc Gergely.

2 000 000 € Capitan

1 000 000€ Tony Stark

3 000 000€ Capitan

50 Bukë x 27 000 € =1 350 000 €

Total Mbetje: 12 696 200 €

Sipas SPAK një nga këto sisteme që përdoren për qarkullimin e këtyre të ardhurave, që është përdorur si një formë e thjeshtë e dërgimit të parave në dorë në Shqipëri, por edhe si një sistem informal transferte, është edhe ‘token’ ose ndryshe sistemi ‘haëala’.

Sistem që mundëson transferim të shumave të mëdha të parave, pa u dashur të lënë gjurmë në sistemin bankar zyrtar.

Të paktën atyre të dokumentuara.

Duke reduktuar kështu ndjeshëm rrezikun e sekuestrimit apo evidentimit nga organet ligjzbatuese.

Nga ku besohet se me anë të ‘Token’ një pjesë e mirë e parave janë dërguar në Bolivi.

Një shtet që, për shkak të nivelit relativisht të ulët të kontrollit mbi sistemin bankar dhe financiar, si dhe pozicionit të tij gjeostrategjik, pasi kufizohet me disa vende që kanë dalje në det, përbën një pikë të favorshme per finalizimin e transaksioneve të paligjshme financiare.

Në këtë mënyrë, rrjeti i dyshuar jo vetëm që arrin të menaxhojë në mënyrë të sofistikuar trafikun fizik të drogës,

por edhe të qarkullojë dhe pastrojë të ardhurat e përfituara përmes një skeme të mirëorganizuar dhe të shumëfishtë.

Dritan Vakaj

Shoqata Kombëtare e Zyrave të Këmbimit Valutor

‘Haëala’ nuk është metodë e pastrimit të parave, por e transportimit dhe të transferimit të parave dhe shkëmbimit të kryerjes së transaksioneve praktikisht midis individëve.

Pra një lloj klerimi jashtë sistemeve financiare”, thotë Dritan Vakaj nga Shoqata Kombëtare e Zyrave të Këmbimit Valutor.

“Metoda ‘Haëala’ është një nga metodat më të sigurta të pastrimit të parave, sepse ka në thelb besueshmërinë, njohjen midis njëri-tjetrit.

Mendoj që do jetë shumë e vështirë për t’u thyer, pikërisht për shkak të besimit që ekziston.

Dhe që kërkon hetim proaktiv dhe të kushtueshëm nëse do angazhohesh në hetimin e kësaj metode pastrami”, thotë juristi Erald Yzeiraj.

Por ajo që besojnë ekspertët e ekonomisë është që një nga faktorët që ndikon që këto grupe kriminale, si në rastin konkret ai i Çopjave, të kryejnë këtë lloj aktiviteti të transaksioneve të parave në mënyrë jo ligjore, janë edhe hapësirat ligjore në legjislacionin shqiptar.

Ndërkohë që çdo organizatë kriminale me shtrirje nga Amerika e Jugut në Evropë, si pjesë të investimit të saj, patjetër që ka edhe shtrirjen e infrastrukturës së transportimit dhe të shpërndarjes së parave të fituara nga narkotrafiku.

Kjo e ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorët e shumtë në terren.

Ashtu siç në fakt u zbulua edhe rrjeti i financuar prej Franc Çopjas në Shqipëri.

Ku në gushtin e vitit 2020, ndërsa po kërkonte pikën e këmbimit valutor që ishte në pronësi të Bashkim Likës dhe Maklen Micit, ngatërroi adresë dhe për këtë shkak u detyrua të shkruante në Sky Ecc.

Teksa tre burra u vunë në lëvizje dhe shkëmbyen detaje dhe fotografi përmes aplikacionit Sky Ecc, me qëllim për ta orientuar atë drejt pikës së duhur, ku do të tërhiqte më pas 215 500 Euro të ndara në katër këste.

Mesazhet e shkëmbyera në Sky Ecc që tre vite më vonë ranë në duart e SPAK, duke bërë të mundur një zbulim domethënës për evolucionin e krimit të organizuar shqiptar.

Hetime që dokumentuan ekzistencën e një grupi personash që e përdornin biznesin e këmbimit valutor si kamuflim, ndërsa kryenin në të vërtetë operacione të qarkullimit të shpejtë të parave për llogari të grupit Çopja.

“Ne kemi zyra sot në Shqipëri  të licencuara në nunër biznesi dyfish sa Mbretëria e Bashkuar që është 70 milion banorë.

Atëherë ky lloj fragmentarizimi padiskutim që sjell standarde më të ulëta në treg.

Në kufijtë e mbijetesës apo në pamundësi për të zhvilluar biznes mund të jenë edhe vulnerabël kundrejt përdorimit të tyre pastaj nga grupet krininale”, thotë Dritan Vakaj nga Shoqata Kombëtare e Zyrave të Këmbimit Valutor.

“Si strukturë të duhet një biznes i ligjshëm ose disa biznese të ligjshme të cilët faturojnë njëri- tjetrin dhe kalon pastrimi më disa shtresa për të humbur gjurmët për aq sa është e mundur dhe pastaj të duhen edhe avokatë, juristë, financierë, të duhen punonjës në sistemin bankar, të duhen edhe informaticienë, persona me aftësi të veçanta.

Kjo do të ishte një strukturë perfekte për personat që angazhihen në pastrimin e produkteve të veprës penale”, thotë për emisionin “Në Shënjestër”, juristi Ermal Yzeiraj.

Por Ervis Çela nuk janë të vetmit që kanë përdorur sistemin ‘Haëala’ apo ‘Token’, për të furnizuar rrjetin e tyre me para.

Kjo metodë është përdorur edhe nga grupe të tjera kriminale.

“Është shumë e rëndësishme qoftë edhe nga e qeverisë që të plotësohet kuadri ligjor përsa i përket portofoleve dixhitale sepse aktualisht agjencia e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk është se ka një portofol dixhital për të menaxhuar asetet virtuale”, thotë Dorina Bejko nga sektori Antikorrupsion, SPAK.

Por fakti që teknologjia është gjithmonë ne evoluim është shumë e rëndësishme që kapacitetet hetimore edhe për hetimin e kriptovalutave duhet të ecë përpara se në të kundërt do krijohet nën asimetri shumë e madhe nëpërmjet autoriteteve ligjzbatuese dhe krimit të organizuar.

Por ndërsa arriti të kryejë këtë goditje, SPAK, ra edhe në gjurmët e një grupi të dytë që në korrik të vitit 2025, mundësoi transferimin e vlerave të konsiderueshme të parave, që burim të tyrin kishin trafikun e drogës nga Zvicra drejt Shqipërisë.

Ku në krye të këtij grupi ishte, Ervis Ferizaj.

47 vjeçari që në shtator të vitit 2024, u arrestua në qytetin e Lucernës në Zvicër me akuzën e trafikimit të narkotikëve, pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal.

Ndërsa në Tiranë ai dyshohet se kishte dy pika të këmbimit valutor në pronësinë e babait dhe bashkëshortes së tij.

Kjo me qëllim për të kamufluar transferimin e parave të paligjshme nga Zvicra drejt Shqipërisë.

Para të cilat qarkullonin nëpërmjet sistemit ‘Haëala’ për llogari të personave të tjerë.

“SPAK në hetimin e pastrimit të parave përballet me një sërë sfidash të natyrës strukturore, teknike por edhe ndërkombëtare.

Dhe e rëndësishme është që SPAK në hetimin e veprave penale krahas hetimit penal ka si prioritet edhe hetimin financiar sepse ajo çka është e rëndësishme nuk është e rëndësishme të çosh përpara drejtësisë dhe ti ndëshkosh autorët e veprës penale, por njëkohësisht të sekuestrosh dhe të konfiskosh të ardhurat e paligjshme që ato kanë krijuar nga ky aktivitet”, Dorina Bejko nga sektori Antikorrupsion, SPAK.

Po për juristin Ermal Yzeiraj e rëndësishme është që pasi të kemi zbuluar produkte të veprës së tillë penale, të pastrimit të parave, sidomos në kriptovalutë,

shteti shqiptar të jetë i aftë që këto para nëpërmjet marrëveshjet me partnerët e saj, t’i rimbursojë. Dhe këto të mos mbeten kriptovaluta në portofolin e shteteve të tjera, që janë po aq të interesuar t’i kenë.

“Këto janë lesgjislacione që e kanë burimin nga akte ndërkombëtare.

Mendoj që këto tipe bashkëpunimesh për ruajtjen e veprës penale duhet të sigurohen mirë me marrëvëshje midis palëve që në vazhdim të mos kemi probleme e kujt është, kujt shtet i përket, se shumë shtete mund të nisin hetime për të njëjtin produkt të veprës penale.

Në fund të hetimeve dhe proceseve gjyqësore të gjitha shtetet mund të pretendojnë që është produkt i veprës penale që më takon mua si shtet, këtë juridiksion që unë pretyendoj që lidhen me veprën, me autorin, struktuarat dhe kështu me radhë.

Por ne duhet të sigurohemi në kushtet që nuk kemi kapacitete për t’i ruajtur, të kemi një marrëveshje të sigurtë që do na i kthejnë mbrapsht këto produkte në rast se personat shpallen fajtorë me vendim të të formës së prerë”, thotë juristi Ermal Yzeiraj për emisionin “Në Shënjestër”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb