Ruud Gullit ka shpërthyer me kritika ndaj futbollit modern, duke deklaruar se ka vendosur të mos e ndjekë më sportin që e bëri legjendë. Ish-ylli i AC Milan u shpreh i zhgënjyer nga niveli i lojës, duke marrë si shembull ndeshjen mes Arsenal FC dhe Chelsea FC, të cilën e cilësoi si “një ndeshje të tmerrshme”.
Sipas Gullit, futbolli i sotëm është bërë tepër taktik dhe i varur nga situatat standarde. Ai kritikoi lojtarët që, sipas tij, kërkojnë me çdo kusht goditje këndi apo rivënie anësore, duke theksuar se loja ka humbur spontanitetin dhe bukurinë.
Holandezi kërkon rikthimin e fantazisë dhe driblimit, duke përmendur si shembull pozitiv talentin e ri Lamine Yamal. “Më mungon gëzimi në fushë”, theksoi Gullit, duke shtuar se sot lojtarët mjaftohen vetëm me zbatimin e detyrave taktike dhe me pasime të pafundme.
Deklaratat e tij hapin një debat të ri mbi drejtimin që po merr futbolli modern dhe mbi balancën mes disiplinës taktike dhe spektaklit në fushë.
