Qeveria e re hungareze do të rishikojë aplikimin e kredisë 16 miliardë euro për sektorin e mbrojtjes nga Komisioni Europian për shkak të rreziqeve të korrupsionit. Paketa e financimeve të Komisionit Europian bazohej në kredi me interesa të buta dhe ish-qeveria e Viktor Orban aplikoi për 16 miliardë euro.

Por pas lançimit të skemës, një pjesë e madhe e industrisë hungareze të mbrojtjes u privatizua nga 4iG, përmes disa procedurave që tashmë janë nën hetim për korrupsion. Sipas mediave hungareze, pjesën më të madhe të këtyre fondeve do ta përfitonte pikërisht kompania 4iG.

Bllokimi i kredisë nga qeveria e Magyar dyshohet se lidhet kryesisht me 4iG, e cilësuar si kompania e oborrit të Orban. Për shkak të këtyre zhvillimeve, kontroll.hu, një media e afërt me partinë e kryeministrit Magyar, shkruan se 4iG mund të shkojë drejt falimentimit.

4iG është kompania mëmë, e cila zotëron One Albania. Tronditjet financiare të 4iG pritet të kenë pasoja serioze mbi One. Tashmë One Albania dhe gjithë grupi 4iG klasifikohen si një korporatë me reputacion të damkosur për shkak të lidhjeve politike të kompanisë, si dhe me risqe të larta financiare, jo vetëm për shkak të bllokimit të fondeve që grupi përfitonte nga ish-qeveria e Orban, por edhe për shkak të pasojave të mundshme ligjore nga hetimet për korrupsion që ka paralajmëruar qeveria e Peter Magyar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: