Operacioni i koduar “Epic Fury” po cilësohet si një nga ndërhyrjet ushtarake më të gjera dhe më shkatërruese të dekadave të fundit, me 100 orët e para që, sipas raportimeve, kanë ndryshuar ndjeshëm balancat gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

24 orët e para
Armiqësitë nisën në orët e para të së shtunës, më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara ndërmorën një valë masive sulmesh me raketa ndaj objektivave në Iran. Objektivi kryesor i fazës së parë ishte neutralizimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe qendrave të komunikimit iraniane.

Raketat “Tomahawk”, të lëshuara nga anije sipërfaqësore dhe nëndetëse, goditën pika strategjike nga Tabrizi në veri deri në bregdetin e Makranit në jug. Teherani reagoi me kundërsulme, duke synuar baza amerikane në Irak, Jordani dhe në vendet e Gjirit.

 640 0 Obligacione Euro 717
640 0 Obligacione Euro 717

Dita e dytë: Epërsia ajrore
Të dielën, më 1 mars, operacionet u përqendruan në dominimin e hapësirës ajrore. Forcat amerikane vendosën epërsi ajrore përgjatë bregdetit iranian, duke u mundësuar avionëve aleatë të operonin thellë në territorin e vendit.

Një zhvillim i rëndësishëm u regjistrua në mbrëmje, kur Forcat Ajrore Izraelite raportuan se kishin arritur epërsi të plotë ajrore mbi Teheranin. Ky moment u konsiderua kyç, pasi dobësoi ndjeshëm ombrellën mbrojtëse të kryeqytetit dhe të instalimeve ushtarake përreth.

72 orë më vonë: Objektivat bërthamore
Të hënën, më 2 mars, në operacion u përfshinë bombardues strategjikë amerikanë, përfshirë B-2, B-1 dhe B-52, të cilët ndërmorën sulme të njëpasnjëshme ndaj objekteve të lidhura me programin bërthamor iranian në Qom, Arak dhe Isfahan.

Sipas burimeve ushtarake, përdorimi i avionëve “stealth” mundësoi goditjen e objektivave të fortifikuara që më parë konsideroheshin të vështira për t’u depërtuar. Në të njëjtën kohë, sistemet e mbrojtjes ajrore iraniane u neutralizuan në mënyrë progresive.

Mbyllja e 100 orëve: Bllokada detare
Të martën, më 3 mars, fokusi u zhvendos në frontin detar. Flota amerikane vendosi një bllokadë të plotë në Gjirin Arabik, në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin e Omanit, duke synuar eliminimin e pranisë detare iraniane.

Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, kaloi nën kontrollin operacional të koalicionit perëndimor, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të ushtruar presion përmes kontrollit të rrugëve detare.

Faza e parë e operacionit përfundoi të mërkurën, më 4 mars, me raportime për fundosjen e anijes së fundit të madhe luftarake iraniane nga një nëndetëse amerikane me energji bërthamore.

Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar dhe komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet, ndërsa pasojat politike dhe ekonomike të këtij operacioni pritet të jenë të thella dhe afatgjata për rajonin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb