Me rihapjen e seancës plenare pasi kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi ndërprerje prej 5 minutash, në foltore ka nisur të flasë kryetari i PD-së, Sali Berisha. Ky i fundit sulmoi ashpër ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ai e cilësoi Ballukun një hajdute që nuk e mbron dot PS-ja, pasi kjo është çështje ndërkombëtare.

“Pseudo-mazhoranca bën gjithçka të fshehë e të maskojë krimin e shëmtuar ndaj shqiptarëve me emërimin në poste ministrore të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Lubi Ballukut, persona kokë e xhep të lidhur me Lubinë, dhe që kanë vetëm një të ardhme në qeli me Lubinë.

Tronditëse është që në Kuvend s’mund të kishte sot asnjë çështje veç imunitetit të Ballukut, sado ta shtyni ju, ju siguroj që s’ka forcë në botë të mbrojë atë dhe krimet e saj.

Ka vjedhur qindra miliarda, është superbandite që ka përdorur bandat për të kërcënuar SPAK. Asaj i dilni zot ju sepse jeni mëkatarë. Nuk them se jeni të gjithë, por udhëhiqeni nga banditë e kriminelë. Lubia është një çështje ndërkombëtare përderisa Shqipëria ka zgjedhur rrugën e integrimit.

Sot duhet të kishit votuar arrestimin e  Balluku, por jeni të gjithë pengje të saj. Ministra, mos u bëni mercenarë të Lubisë, Keni hedhur firma te ajo (ministrat e rinj). Mos i ndiqni këta. Se këta janë të lidhur këmbë e xhep me Ramën. Nderuam sot dhe bëmë mirë që nderuam sot legjendën Adem Jasharin. Por ulni kokën, se nuk pranoni gjenocidin në Kosovë. Nuk votoni gjenocidin serb në Kosovë. Uleni kokën!
Vetëm fëmijë janë 2 mijë. Shkoni dhe vizitoni muzeumin në Prishtinë. Pastaj mbani zi! Të dënoni gjenocidin e serbëve në Kosovë. Por ju nuk keni asgjë lloj, jeni nënshtruar në të keqen banale, silleni si automatë dhe nuk mbani përgjegjësi”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb