Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka dërguar në Kuvendin e Kosovës amendamentet kushtetuese që synojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët. Ajo e cilësoi këtë hap si një përgjigje ndaj, sipas saj, dështimeve të përsëritura për zgjedhjen e kreut të shtetit nga deputetët.
Osmani theksoi se këto amendamente janë përgatitur fillimisht nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011 dhe tashmë janë proceduar për shqyrtim në Kuvend.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit/es, të cilat janë hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që t’i votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, deklaroi ajo.
Nisma e presidentes vjen në një moment të ndjeshëm politik, në prag të afateve për zgjedhjen e presidentit të ri në Kuvend.
