Karlos Alkaraz, protagonist i një nisjeje të shkëlqyer sezoni pas triumfit në “Australian Open” dhe në turneun e “Qatar Open”, përgatitet për Mastersin 1000 të parë të vitit në “Indian Wells Masters”.
Spanjolli synon titullin e tretë në këtë turne dhe në konferencën e parë për shtyp para nisjes së garës, bëri një bilanc të paraqitjeve të tij të para të vitit, 12 ndeshje pa asnjë humbje. “Po shkon vërtet shumë mirë, për të qenë i sinqertë”, deklaroi Alkaraz.
“Ndihem paksa ndryshe krahasuar me vitet e tjera, por kam zhvilluar disa stërvitje shumë të mira. Jam rikthyer dhe gati, kështu që gjithçka ka qenë pozitive dhe jam i emocionuar për të nisur”. Numri 1 i botës foli edhe për konfliktin në Lindjen e Mesme. “Ishte befasuese, sepse vetëm pak ditë më parë të gjithë po luanim atje dhe papritur ndodhi gjithçka. Të shohësh disa lojtarë të bllokuar atje, që nuk mund të udhëtonin, ishte disi shqetësuese, të paktën për mua”.
Pas disa seancave stërvitore në turne, nën temperatura të larta, tenisti theksoi përmirësimet e tij dhe çelësat e formës aktuale. “Mendoj se në fushë i kontrolloj edhe më mirë emocionet”, u shpreh spanjolli. “Besoj se ky ka qenë çelësi i nivelit të lartë me të cilin po luaj kohët e fundit, sepse në fushë kontrolloj veten dhe nga qetësia gjej zgjidhje”, shtoi ai.
Në turneun e Dohas, kur u përball me vështirësi, Alkaraz arriti ta përmbysë situatën me autoritet. “Kur zemërohesha ose nuk po luaja mirë, e gjeja sërish rrugën sepse qëndroja i qetë”, shpjegoi 22-vjeçari. Me një bilanc 20-3 në “Indian Wells” dhe 12 fitore radhazi këtë vit, Alkaraz u pyet edhe për rekordin prej 41 fitoresh radhazi të vendosur nga Novak Xhokoviç në vitin 2011.
“E di që Novak mban rekordin me 41 fitore. Nuk e kupton sa e vështirë është derisa fillon ta ndjekësh”, reflektoi Karlos. “Kur arrin 12 fitore radhazi është sikur të kesh fituar katër ose pesë turne nga më të mëdhenjtë në botë. Atëherë e kupton sa mbresëlënëse është”, përfundon kampioni spanjoll.
