Ish-presidenti shqiptar Bamir Topi po përgatit një tjetër festë në shtëpi. Vajza e tij më e vogël, Etida martohet mbrëmjen e sotme me djalin e biznesmenit Luan Bregasi, Ilirin. Pas një lidhjeje disa vjeçare dhe fejesës, çifti i ri vendosi të celebrohej në martesë, duke zhvilluar edhe një dasmë tradicionale.

Ish-presidenti, rrëfen për “Bluetooth” detajet e dasmës, duke nisur që nga vendimi për ta organizuar
në oborrin e shtëpisë, 300 të ftuarit, menunë me receta shqiptare, e për të përfunduar me emocionet e
tij si një baba që po përcjell vajzën më të vogël të familjes.

“Unë në fakt nuk e vuaj, për mua është emocion pozitiv (qesh). Unë nuk e kam me vuajtje, por marr atë
pjesën që prindi, babai duhet të gëzohet që në një moment vajza bëhet për t’u martuar, për të vazhduar
jetën. Këto janë ligjet e jetës”, thotë mes të tjerave Bamir Topi.

Ku e keni organizuar dasmën e vajzës suaj Etida?
Ne dasmën do ta bëjmë në oborrin e shtëpisë, ashtu siç kemi bërë edhe të vajzës së parë.

Për traditë, meqë shqiptarët dikur i bënin dasmat në shtëpi?
Po, për traditë, ne dasmat i bëjmë në kopshtin e shtëpisë.

Sa të ftuar janë?
Rreth 300 të ftuar.

Mes tyre ka personazhe nga politika?
Patjetër, sepse unë jam në politikë dhe kam miq nga politika.

Si këngëtar është sërish Albano Carrisi dhe Romina?
(Qesh). Albano erdhi meqë unë e kam mik shtëpie. Erdhi, bëri urimin e tij dhe u largua sepse ka një impenjim tjetër, një koncert në Moskë.

Janë këngëtarë shqiptarë? Cilët?
Po, është grupi i Juliana Pashës, Sidrit Bejleri, Olta Boka, por është edhe miku im, i cili mund të interpretojë për dëshirën e tij, Kastriot Tusha. Do jetë gjithashtu mjeshtri i Ansamblit, Këngës e Valles Hekuran Xhambali.

Të gjithë baballarët e vuajnë largimin e vajzës, martesën e saj. Mund të na tregoni diçka për emocionet tuaja?
Unë në fakt nuk e vuaj, për mua është emocion pozitiv (qesh). Unë nuk e kam me vuajtje, por marr atë pjesën që prindi, babai duhet të gëzohet që në një moment vajza bëhet për tu martuar, për të vazhduar jetën. Këto janë ligjet e jetës.

Jeni i kënaqur me zgjedhjen e saj?
Absolutisht po. Ato kanë qenë me fat, por edhe ne, prindërit kemi qenë me fat. Janë djem të mirë, pa vese, shumë punëtorë dhe nga familje shumë të mira. Për këtë jemi të kënaqur.

Bashkëshortja juaj si po e përjeton?
Ju thoni që baballarët kanë më shumë emocion, por më duket se ka ajo më shumë emocion.

Sepse po largohet vajza e vogël e shtëpisë?
Jo. E thashë, ne nuk e quajmë largim. Fatmirësisht ato do jetojnë në Tiranë dhe jemi afër. Largim është kur ikën larg. Jemi me fat edhe nga kjo anë, kemi mundësinë që të shihemi shpesh.

Jeni ndërkohë gjysh i një djali… Është pika juaj e dobët, apo jo?
Ka gëzime e gëzime, por është shumë interesante që ai ka futur një gëzim shumë të madh në shtëpinë tonë. Ndoshta është gëzimi më i madh që kemi pasur. Ai është pesë muajsh, në atë moshën që të njeh dhe ka nisur komunikimin me gjeste. Jemi vërtet të lumtur. Unë jam shumë i lumtur.

Nga Etida, prisni një mbesë, apo është ende herët?
Jo jo, është herët (qesh). Nëse do ta vini re, kanë ruajtur rregullin normal, nuk ka pasur aksidente. Unë kam dy vajza, ardhja e nipit e plotësoi ekuilibrin dhe tani Etida qoftë nip, qoftë mbesë ne e presim me padurim.

Është dëshira juaj që t’i ndiqni traditat në familje?
Jo vetëm e imja. Por mesa duket edhe mjedisi ku ato janë kultivuar i ka drejtuar në këtë rrugë. Mua më pëlqen që të ruhet pjesa tradicionale, por kohët sigurisht kanë ndryshuar dhe natyrisht edhe ne ecim me ritmin e kohës. Duhet kombinuar, tradicionalja dhe pjesa moderne, por ajo që më vjen mirë është që fëmijët e kanë përkrahur idenë që dasma të bëhet në kopshtin e shtëpisë.

Do jetë dasmë luksoze?
Jo, është dasmë normale. Përderisa është tradicionale, pjesa më e rëndësishme është që dasma shijohet për substancën që ka, jo për pjesën e luksit. Një gëzim, një dasmë mund të bëhet edhe në mënyrë të improvizuar. Ne kemi dashur ta bëjmë siç janë rregullat dhe traditat dhe ta bësh në oborrin e shtëpisë i largohesh në një farë mënyre atij luksi që kanë sot lokalet shqiptare.

Edhe gatimet do të jenë tradicionale, apo të ndërthurura?
Patjetër që ka pjesë nga menuja tradicionale, por duhet që edhe të rinjtë të kenë pjesën e tyre të zgjedhjes. Megjithatë dominon menuja shqiptare.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: