Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Iranit, duke lënë të kuptohet se nuk është i interesuar për negociata për t’i dhënë fund konfliktit dhe duke mos përjashtuar mundësinë që lufta të përfundojë vetëm pas shkatërrimit të plotë të kapaciteteve ushtarake dhe eliminimit të udhëheqjes iraniane. Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One të shtunën, Trump tha se fushata ajrore e vazhdueshme mund ta bëjë të pakuptimtë çdo negociatë, nëse udhëheqësit kryesorë të Iranit eliminohen gjatë operacioneve ushtarake.

“Në një moment, mund të mos ketë asnjë udhëheqës të gjallë për të thënë ‘ne dorëzohemi’,” deklaroi presidenti amerikan, në një nga komentet më të ashpra të bëra deri tani lidhur me konfliktin. Trump gjithashtu foli për efektet e operacioneve ushtarake kundër Iranit, duke pretenduar se forcat amerikane kanë goditur rëndë kapacitetet ushtarake të Teheranit. “Ne kemi neutralizuar 44 anije luftarake të marinës së tyre. Kemi shkatërruar forcën e tyre ajrore, çdo avion. Kemi shkatërruar shumicën e raketave të tyre. Raketat mezi po lëshohen më. Gjithashtu kemi goditur shumë fort uzinat ku prodhohen raketat,” tha ai.


Sipas Trump, edhe aftësia e Iranit për të përdorur dronë është reduktuar ndjeshëm, ndërsa ushtria iraniane është “pothuajse inekzistente”. Megjithatë, presidenti amerikan shtoi se një goditje edhe më e fortë ndaj ushtrisë iraniane mbetet një opsion i hapur. “Ne mund ta godasim vetë ushtrinë shumë fort, por ndoshta do ta bëjmë, ndoshta jo. Nuk e kemi marrë ende këtë vendim,” tha ai. Deklaratat e Trump pritet të rrisin më tej tensionet në Lindjen e Mesme dhe të shtojnë frikën për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb