Ish-i dërguari i SHBA-së për Ukrainën thotë se rendi i sigurisë në Evropë funksionon siç duhet dhe se është Rusia ajo që po e sulmon atë. Në vend të kësaj, Uashingtoni duhet ta heqë këtë temë nga diskutimi dhe të ushtrojë presion real mbi Kremlin.

Bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, kanë përfunduar ngjashëm me ato të mëparshmet, pa ndonjë përparim të rëndësishëm. Megjithatë, në një intervistë për “Independence Avenue Media”, Kurt Volker shprehet se fakti që negociatorët amerikanë po diskutojnë mbi ‘arkitekturën’ e sigurisë në Evropë, përbën një fitore për Moskën. “Rusia po përpiqet qëllimisht të krijojë një situatë ku Shtetet e Bashkuara negociojnë duke anashkaluar vendet e tjera, për të arritur një marrëveshje me Rusinë,” thotë Volker, i cili ka shërbyer si përfaqësues special për negociatat lidhur me Ukrainën gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump. “Kjo është diçka që Rusia është përpjekur gjithmonë ta bëjë, por të cilës administratat e mëparshme amerikane i janë kundërvënë gjithmonë.”

Pas bisedimeve të 10-11 nëntorit në Abu Dabi, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të dërguarit e posaçëm të Trumpit, u takuan me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Dublin. Kushner njoftoi se Rusia kishte rënë dakord t’u lejonte “partnerëve evropianë” të merrnin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave, por Moska e kundërshtoi atë, duke deklaruar se ende nuk kishte marrë një vendim.

Sido që të jetë, thotë Volker, duke pasur parasysh se Rusia këmbëngul në kërkesat e saj maksimaliste, që përfshijnë tërheqjen e plotë të Ukrainës nga territoret që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë në fushën e betejës, dhe vazhdon të godasë civilët ukrainas e infrastrukturën civile, arkitektura e sigurisë evropiane është pikërisht tema e gabuar për t’u diskutuar në këtë moment.

“Ne po mbesim në diskutime për çështje për të cilat nuk kemi nevojë të flasim,” argumenton ai. “Duhet të përqendrohemi plotësisht, me saktësi të lartë, që Rusia t’i japë fund agresionit të saj kundër Ukrainës. Në vend të kësaj, kjo nuk ka qenë tema kryesore gjatë ditës së fundit apo më shumë. Në fakt, bëhet fjalë për një arkitekturë sigurie evropiane, e cila nuk është e dëmtuar. Thjesht, Rusia po e sulmon atë. Pra, duke hapur këtë diskutim, ne po largohemi nga çështjet reale për t’u marrë me ato imagjinare.”

Në një intervistë të gjerë, Volker, i cili është gjithashtu ish-ambasador i SHBA-së në NATO dhe anëtar i bordit të “Independence Avenue”, thotë se e vetmja mënyrë për ta detyruar Rusinë t’i marrë seriozisht negociatat, është që administrata Trump të ndryshojë qasje dhe të ndihmojë Ukrainën të ushtrojë presion ushtarak e financiar mbi Rusinë. “Ndoshta Presidenti Trump ose të tjerë mund të thonë: Pas pesë vitesh ku kemi bërë të kundërtën, ndoshta duhet të provojmë diçka tjetër dhe të shohim nëse funksionon,” thotë Volker.

Intervista e plotë:

Glenn Kates, redaktor ekzekutiv për gjuhën angleze, Independence Avenue Media: Ambasador Volker, bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dabi midis Ukrainës dhe Rusisë përfunduan pa ndonjë përparim. Presidenti Putin ka deklaruar se mbetet i palëkundur në kërkesat e tij maksimale. Në shumë aspekte, këto bisedime ngjajnë me ato të mëparshmet, por ajo që i shqetëson evropianët është një element i ri në negociata: arkitektura e sigurisë së Evropës. Çfarë lidhjeje ka kjo me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë?
Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO: Në thelb, kjo nënkupton se Shtetet e Bashkuara po u japin besueshmëri pretendimeve të Rusisë, sipas të cilave pavarësia e Ukrainës, ekzistenca e NATO-s, apo zgjerimi i mëparshëm i NATO-s, përbëjnë në njëfarë mënyre kërcënim për Rusinë. Ata e kanë përsëritur këtë pretendim prej dekadash; që nga fjalimi i Presidentit Putin në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2007, ku ai deklaroi se kjo arkitekturë e sigurisë evropiane nuk u shërben atyre. Por duhet kujtuar se këto marrëveshje kanë si qëllim thelbësor ruajtjen e sovranitetit dhe pavarësisë shtetërore, si dhe të drejtat e çdo vendi në Evropë. Ato burojnë nga Akti Përfundimtar i Helsinkit i vitit 1975, të cilin e nënshkroi edhe Bashkimi Sovjetik. Këto parime u riafirmuan në Kartën e Parisit për një Evropë të Re në vitin 1990, dokument që gjithashtu u nënshkrua nga Bashkimi Sovjetik, si dhe në dokumentet themeluese të marrëdhënieve NATO-Rusi dhe në samitin e vitit 2002 në Itali, të cilat u nënshkruan nga Vladimir Putin.

Pra, ka pasur një konsensus se këto parime themelore të sigurisë evropiane janë të drejta dhe duhet të respektohen. Në fakt, problemi nuk qëndron te siguria evropiane në vetvete, por te fakti se Rusia nuk dëshiron më t’u përmbahet këtyre rregullave. Ajo kërkon të sulmojë fqinjët e saj dhe të marrë territoret e tyre, duke vepruar në kundërshtim të hapur me këto rregulla.

IAM: Pra, nëse është kështu, pse mendoni se Shtetet e Bashkuara e kanë lejuar këtë çështje të depërtojë në procesin që nisi si një negociatë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë?
Volker: Ka disa arsye. Së pari, Shtetet e Bashkuara, gjatë mandatit të dytë të Presidentit Trump, nuk kanë dashur të ushtrojnë ndonjë presion serioz ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Pikërisht kjo do të duhej për ta detyruar Rusinë ta ndalë luftën dhe të pranojë një armëpushim. Por duke qenë se nuk jemi të gatshëm ta bëjmë këtë, vazhdojmë të kërkojmë alternativa: për çfarë tjetër mund të flasim? Çfarë tjetër mund ta kënaqte Rusinë, në mënyrë që t’i jepnim fund luftës, në vend që të ushtronim presion mbi Rusinë për ta ndaluar atë? Pra, kjo është njëra arsye.

Së dyti, ekziston edhe një aspekt tjetër: negociatorët amerikanë aktualë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, nuk kanë vërtet përvojë në këtë fushë. Ata nuk do të mund t’ju flisnin për Marrëveshjet e Helsinkit, as për atë që njihet si “Dekalogu” i Helsinkit, e as nuk do të dinin t’ju thoshin se Rusia i ka nënshkruar tashmë këto dokumente nën udhëheqjen e Vladimir Putinit dhe se nuk ka asnjë problem me to. Ata thjesht dëgjojnë atë që thonë rusët. Mënyra se si e paraqesin rusët mund të duket e arsyeshme: ata kërkojnë transparencë, llogaridhënie, siguri kolektive dhe garanci të ndërsjella. Të gjitha këto tingëllojnë bukur, por e vërteta është se ne tashmë i kemi këto gjëra dhe është pikërisht Rusia ajo që po i shkel ato. Ata duhet ta dinin këtë fakt për të qenë në gjendje të kundërshtonin këtë qasje, në vend që ta përqafonin atë si qëndrim amerikan.

IAM: Në fillim të luftës ekzistonte një parullë: asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. A duhet që Evropa të kërkojë të njëjtën gjë në këtë moment?
Volker: Edhe po dhe jo. Ajo që është interesante këtu, është se SHBA-ja ka krijuar në fakt formate bashkëpunimi me Ukrainën. Në këtë takim në Abu Dabi ishin të pranishëm Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo nënkupton njohjen e faktit se Shtetet e Bashkuara nuk mund të marrin angazhime në emër të Ukrainës dhe të presin që Ukraina t’i përmbushë ato. Ukraina duhet të jetë në tryezë. Tani, edhe Evropa duhet të jetë në tryezë për çdo gjë që lidhet me sigurinë dhe interesat e saj, megjithëse, në fakt, nuk duhet as të flasim për këtë. Duhet të flasim se si ta detyrojmë Rusinë t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, e jo se si të rishkruajmë arkitekturën e sigurisë evropiane.

Megjithatë, duke e pasur parasysh këtë, Shtetet e Bashkuara, duke e kuptuar situatën, kanë sjellë në Abu Dabi këshilltarë të sigurisë kombëtare nga disa vende evropiane për këto takime. Por rusët nuk i lejojnë ata të hyjnë në sallë, duke u thënë: “Jo, jo, ju duhet të qëndroni në hotel, amerikanët mund t’ju informojnë më vonë”. Pra, Rusia po përpiqet qëllimisht të krijojë një situatë ku Shtetet e Bashkuara negociojnë kokë më vete, duke anashkaluar vendet e tjera, për të arritur një marrëveshje me Rusinë. Kjo është diçka që Rusia është përpjekur gjithmonë ta bëjë, por të cilës administratat e mëparshme amerikane i janë kundërvënë gjithmonë.

IAM: E di se një nga kërkesat që të dërguarit e posaçëm, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, kanë bërë dhe e kanë bërë pikërisht në Moskë ishte që Evropës t’i lejohej pjesëmarrja në bisedime [pas intervistës, Kushner njoftoi se Evropa do të përfshihet në bisedimet e ardhshme. Moska ka deklaruar se nuk ka marrë ende një vendim. Por ju e prekët çështjen se pse po flitet për sigurinë evropiane. Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, u shpreh se edhe vetë kjo ide është një kurth. Çfarë mendoni se nënkupton ai me këtë?
Volker: Kjo do të thotë se po tërhiqemi në diskutime për çështje për të cilat nuk kemi nevojë të flasim. Duhet të përqendrohemi plotësisht në ndalimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Në vend të kësaj, kjo nuk ka qenë tema kryesore gjatë ditwve tw fundit. Në fakt, bëhet fjalë për një arkitekturë sigurie evropiane, e cila nuk është e dëmtuar. Thjesht, Rusia po e sulmon atë. Pra, duke hapur këtë diskutim, ne po devijojmë nga çështjet reale drejt atyre imagjinare.

IAM: A është kjo ajo që dëshiron Rusia në fund të fundit? Apo ka diçka tjetër që Rusia kërkon përmes këtij diskutimi mbi sigurinë ruse?
Volker: Ne, si amerikanë, priremi të mendojmë se Rusia kërkon diçka të përcaktuar qartë dhe se, nëse e merr atë, atëherë qëllimi është arritur. Megjithatw Rusia nuk mendon aspak në këtë mënyrë. Për të, gjithçka është një proces. Rusia synon t’i bëjë negociatorët amerikanë të sillen vërdallë pa arritur gjëkundi, si dhe të krijojë trazira në sigurinë evropiane, në vend që të vendoset një kornizë e re dhe e qëndrueshme. Rusia ushqehet me krijimin e “zonave gri”, ku nuk është e qartë se kush ushtron sovranitetin, kush mban kontrollin, cilat janë kompetencat e forcave të rendit apo nëse ekziston apo jo siguria. Këto janë gjërat që Rusia kërkon. Jemi ne, në Perëndim, ata që duam të sjellim qartësi, ndërsa Rusia e shfrytëzon këtë dëshirë tonën për të krijuar probleme të njëpasnjëshme, duke na futur në një labirint të ngatërruar.

IAM: Në lidhje me këtë, dua të flas me ju për strategjinë më të gjerë të administratës Trump. Ne folëm nw mes tw gushtit dhe, në atë kohë, kishte pak më shumë shpresë se administrata Trump do të ushtronte më shumë presion ndaj Rusisë. Por, siç e dini mirë, në tetor pati një kthesë të theksuar nga ana e administratës: ajo u largua nga Ukraina dhe u afrua më shumë me Rusinë. Administrata ka hequr dorë nga zbatimi i disa sanksioneve. Sipas raportimeve, ajo po propozon rifillimin e shitjeve të gazit në Evropë dhe po diskuton marrëveshje biznesi me Rusinë. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po ushtron një presion të jashtëzakonshëm mbi Kievin. Sipas Presidentit Zelenskyy, sistemi “Starshield” i “Starlink” po kufizohet sërish, pikërisht në kohën kur Rusia vazhdon sulmin e saj gjithëpërfshirës ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës civile. A mendoni se ndonjë nga këto veprime mund t’i afrojë Rusinë dhe Ukrainën drejt një marrëveshjeje paqeje?
Volker: Jo, përkundrazi. Sa herë që ne mbajmë një qëndrim që favorizon pozicionin dhe pikëpamjet e Rusisë, kjo e fundit nuk ndjen asnjë presion. Për pasojë, ajo mbetet e vendosur për ta vazhduar luftën. Kjo është pikërisht ajo që pamë nw bisedimet e fundit. Patëm dy ditë bisedime në Abu Dabi. Diskutimi u shmang nga tema e dhënies fund të luftës dhe kaloi te arkitektura më e gjerë e sigurisë evropiane. Më pas, menjëherë pas këtyre bisedimeve, Rusia vazhdoi duke bombarduar sërish qytetet ukrainase, në mënyrë tejet masive. Pra, sa më shumë që Shtetet e Bashkuara, e në fakt, kushdo tjetër, i japin Rusisë garanci apo lehtësi në lidhje me kërkesat dhe agresionin e saj, aq më shumë ajo do të vazhdojë në të njëjtën rrugë.

IAM: Kjo dinamikë që përshkruat vazhdon prej dy vitesh tashmë. Witkoffbesoj se kjo ishte vizita e tij e dhjetë në Moskë. Çfarë shpresojnë të arrijnë ata? Çfarë mendojnë se do të përfitojnë duke i bërë këto lëshime ndaj Rusisë?
Volker: Kjo është gjithashtu një pyetje shumë e mirë, sepse ekziston ajo që thonë ata, por a mendojnë diçka tjetër që nuk e shprehin? Është vërtet e vështirë të dihet. Megjithatë, një nga gjërat që dëgjohet vazhdimisht nga Presidenti Trump, Sekretari amerikanb i Shtetit Marco Rubio dhe Witkoff është se ata e shohin këtë si një përballje mes dy palësh që luftojnë. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një ekuivalencë morale, ku e drejta dhe e gabuara janë të barabarta në të dyja anët dhe se duhet gjetur një rrugëdalje. Kjo nënkupton se përgjegjësia për t’i dhënë fund luftës bie po aq mbi Ukrainën sa edhe mbi Rusinë.
Ky është një keqkuptim thelbësor ose një interpretim i gabuar i asaj që po ndodh në të vërtetë. Nuk kishte luftë derisa Rusia sulmoi në vitin 2014. Nuk kishte një luftë në shkallë të gjerë derisa Rusia ndërmori pushtimin e plotë në vitin 2022. Ukraina ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për armëpushime të llojeve të ndryshme, përfshirë një armëpushim të përgjithshëm, por Rusia i ka refuzuar ato vazhdimisht. Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me dy palë që luftojnë mes tyre. Kemi të bëjmë me një palë që ndërmerr një agresion kundër palës tjetër, ndërsa pala tjetër detyrohet të mbrohet. Dhe nëse nuk e kuptoni se kjo është natyra e asaj që po ndodh, atëherë mendoj se e keni keqkuptuar plotësisht mënyrën se si duhet trajtuar situata, si dhe atë që palët mund të jenë duke ju thënë në të vërtetë.

IAM: Ambasador Volker, dihet se keni shërbyer gjatë administratës së pare tw Presidentit Trump. Çfarë do t’i këshillonit administratës të bënte, nëse do të kishit mundësinë t’i këshillonit ata?
Volker: Ajo që duhet të bëjmë është t’i japim fund luftës. Presidenti Trump ka të drejtë për këtë. Por e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund është duke e bindur Vladimir Putinin se vazhdimi i luftës është tepër i kushtueshëm për Rusinë. Qoftë në aspektin financiar, ushtarak, logjistik apo sa i përket pozicionit të saj në botë. Çfarëdo qoftë, ne duhet të vendosim sanksione dhe të ushtrojmë presion, në mënyrë që vazhdimi i luftës të mos jetë më i leverdishëm. Vetëm atëherë ai mund të pranojë një armëpushim.

Ndërkohë, Ukraina ka filluar tashmë ta bëjë këtë vetë, pa ndihmën e SHBA-së. Këtu kemi të bëjmë me një strategji që përbëhet nga tri pjesë. Bëhet fjalë për goditjen e financave ruse, pra, aftësisë së Kremlinit për të financuar luftën. Kjo arrihet duke neutralizuar kapacitetet e eksportit të naftës e gazit, si dhe ato të përpunimit të tyre. Së dyti, duhet siguruar që popullsia ruse të jetë e vetëdijshme se bëhet fjalë për një luftë aktive që ndikon drejtpërdrejt tek ajo. Nuk është thjesht një “operacion special ushtarak” i pastër e i kontrolluar, siç pretendon Putini. Kjo krijon presion të brendshëm ndaj tij. Së treti, duhet siguruar që ushtria ruse të shpërbëhet, gjë që po ndodh përmes neutralizimit të një numri trupash më të madh sesa Rusia mund të rekrutojë, si dhe përmes çrregullimit të logjistikës ushtarake: linjave të furnizimit me karburant, rrugëve, urave, depove të municioneve, aerodromeve dhe avionëve; pra, gjithçkaje që i duhet ushtrisë ruse për të dislokuar dhe mbajtur forcat e saj në terren. Ukrainasit e kanë bërë këtë në mënyrë të shkëlqyer dhe vazhdojnë ta bëjnë.

Kur financat dobësohen, popullsia bëhet gjithnjë e më e pakënaqur dhe ushtria fillon të çorganizohet, atëherë është koha për t’i dhënë fund luftës. Kjo është ajo që Ukraina po i bën Rusisë. Ajo që duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është këshilla për Presidentin Trump dhe të gjithë liderët perëndimorë, është të forcojnë ndikimin e kësaj strategjie. Shikoni se si po goditen tashmë financat. Zbatoni më shumë sanksione, veçanërisht sanksione dytësore, sidomos ato që prekin institucionet financiare që kryejnë pagesa për Kremlinin. Pengoni këto transaksione sa më shumë që të jetë e mundur. Ndihmoni ukrainasit me goditje ndaj objektivave ushtarake, duke përdorur armatime me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi. Këto janë masa që do të bëjnë diferencën dhe, në fakt, do ta çojnë luftën drejt një përfundimi më të shpejtë.

IAM: Ambasador Volker, duhet të them se ajo që sapo parashtruat është, në thelb, e kundërta e asaj që po bën administrata aktualisht. Në fakt, administrata po i rekomandon Ukrainës të tërhiqet nga presioni ekonomik ndaj Rusisë, po i kërkon të ndalojë goditjet ndaj rafinerive të naftës dhe, siç përflitet, po kufizon sistemin “Starshield”, gjë që e bën më të vështirë për Ukrainën të mbrohet. Megjithatë, gjatë mandatit të dytë të Trumpit, marrëdhënia me Ukrainën ka pasur ulje-ngritje të theksuara. Do të ishte e vështirë të thuhet se situata ka qenë ndonjëherë më e keqe se sa gjatë muajit të fundit. A mendoni se ka ndonjë shpresë për ta rikthyer këtë marrëdhënie në rrugwn e duhur ose të paktën në gjendjen ku ishte para muajit tetor?
Volker: Gjithmonë ka një mundësi, gjithmonë ka shpresë, gjithmonë ekziston një shans. Baza e kësaj qëndron pikërisht te ajo që thatë në fillim të pyetjes suaj: ajo që unë rekomandoj është e kundërta e asaj që po bën administrata. Ndoshta Presidenti Trump ose të tjerë mund të thonë: “Pas pesë vitesh duke bërë të kundërtën, ndoshta duhet të provojmë diçka tjetër dhe të shohim nëse funksionon”. Dhe besoj se do të dëgjoni gjithnjë e më shumë zëra në Shtetet e Bashkuara, si nga republikanët, ashtu edhe nga demokratët, si dhe në media, të cilët thonë se qasja e administratës në këtë çështje është vërtet e gabuar.
Importimi i naftës ruse, apo qoftë edhe përpjekja për ta bërë këtë, nuk ka asnjë kuptim. Kjo thjesht i jep më shumë para Kremlinit. Heqja e sanksioneve për të lejuar kërkimet e naftës në Arktik, një gjë që as vetë kompanitë amerikane nuk duan ta bëjnë, do t’i sillte sërish përfitime Putinit, duke e nxitur atë të vazhdojë luftën. Mendoj se do të dëgjoni gjithnjë e më shumë diskutime të tilla pas zgjedhjeve të ndërmjetme. Besoj se është e arsyeshme të mendohet se ndoshta Presidenti Trump, i cili dëshiron të jetë efektiv, mund ta rishqyrtojë qëndrimin e tij.

IAM: Lidhur me zgjedhjet e ndërmjetme, çfarë prisni të ndryshojë tani? A mendoni se do të ketë më shumë presion ndaj administratës Trump, si nga njëra palë ashtu edhe nga tjetra? Duke marrë parasysh se politika e jashtme e SHBA-së buron kryesisht nga dega ekzekutive, si mund të ndikojë Kongresi në këtë politikë?
Volker: Kryesisht, keni plotësisht të drejtë. Sipas Kushtetutës, Presidenti gëzon një hapësirë të gjerë veprimi në politikën e jashtme, si dhe ka mundësinë të vërë veton ndaj legjislacionit që miraton Kongresi. Në këtë aspekt, ai është në pozicion më të favorshëm. Megjithatë, Kongresi do të miratojë ligje dhe buxhete, duke e vënë Presidentin Trump përballë zgjedhjes për t’u vënë veton. Në disa raste, ata mund të kenë madje edhe mundësinë, me mbështetjen e disa senatorëve republikanë që do t’u bashkohen demokratëve, për ta rrëzuar veton e tij. Për shembull, nëse bëhet fjalë për largimin nga NATO-ja, besoj se në Senat do të krijohej një shumicë, përfshirë këtu edhe republikanët, që do të thoshte: “jo, jo, jo, këtë nuk do ta bëjmë”. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe lidhur me ndihmën për Ukrainën.

Mund të ndodhë kështu me sanksionet ndaj Rusisë; projektligji i Lindsey Graham-it për sanksionet u miratua në Senat me 80 vota ose më shumë. Megjithatë, Presidenti Trump, brenda një kohe mjaft të shkurtër, lëshoi një përjashtim të bazuar në sigurinë kombëtare, duke deklaruar se zbatimi i këtyre sanksioneve nuk është në interes të sigurisë sonë kombëtare. Kongresi, nga ana tjetër, nuk pajtohet aspak me këtë qëndrim dhe beson se zbatimi i tyre është plotësisht në interesin tonë. Kështu që, mund të imagjinoni që Senati dhe Dhoma e e ardhshme Përfaqësuesve të miratojnë sërish legjislacion për sanksionet ndaj Rusisë, por këtë herë pa përfshirë klauzolën e përjashtimit për sigurinë kombëtare, duke e detyruar kështu Presidentin Trump t’i zbatojë ato.

Ka gjasa që ai të vendosë veton, por mund të sigurohen votat e nevojshme për ta rrëzuar atë veto. Nëse e analizojmë këtë skenar, ndoshta Presidenti Trump do ta konsiderojë më të favorshme zbatimin e sanksioneve ashtu siç janë, sesa të humbasë mundësinë e atij përjashtimi për sigurinë kombëtare në të ardhmen. Pra, po krijohet një marrëdhënie interesante dhe komplekse mes Kongresit dhe Presidentit lidhur me disa nga këto çështje. Në Kongres ekziston një qëndrim shumë i fortë dhe dypartiak, me të cilin Presidenti Trump nuk pajtohet, por të cilin mund të mos jetë në gjendje ta kundërshtojë me sukses.

IAM: A mendoni se Ukraina do të mbetet një prioritet në Kongres?
Volker: Po, do të mbetet. Nuk do të jetë i vetmi prioritet, e ndoshta as i pari, por gjithsesi do të mbetet prioritet, sepse prek një sërë çështjesh. Bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, në lidhje me aleancat tona dhe me Rusinë. Bëhet fjalë për vlerat demokratike dhe njerëzore, për çështje morale dhe për mbështetjen ndaj njerëzve që luftojnë për lirinë e tyre. Kjo çështje gëzon mbështetje të gjerë në SHBA — ndërsa qëndrimi i Trump-it ndaj Rusisë dhe Ukrainës nuk është popullor në SHBA. Pra, ka shumë arsye pse besoj se Ukraina do të mbetet një prioritet i lartë për Kongresit.
Megjithatë, prioritetet kryesore do të jenë çështjet që lidhen me Iranin dhe zhvillimet e pritshme atje; si dhe çështjet që demokratët i konsiderojnë si veprime të shumta të paligjshme nga ana e administratës Trump — përfshirë hetimin e tyre dhe dërgimin e këtyre çështjeve në gjykatë. Më pas, në kampin demokrat do të ketë presion që të mos përqendrohen tepër te politika e jashtme, pasi zgjedhjet e ndërmjetme kanë të bëjnë kryesisht me situatën e brendshme dhe ekonominë vendase, si dhe me atë që mund të bëhet për të ndihmuar njerëzit brenda vendit. Pra, ka një sërë prioritetesh mbi të cilat ata do të përqendrohen.

IAM: Ambasador Volker, dua të kaloj shkurtimisht te çështja e Iranit. Kur folëm në gusht, ju thatë se Trump po fitonte kohë para zgjedhjeve të mesmandatit, përpara se të merrte ndonjë vendim të rëndësishëm lidhur me Iranin. Zgjedhjet e mesmandatit përfunduan, ndaj dua t’ju pyes: a priten këto vendime të rëndësishme?
Volker: Po, besoj se po. Mendoj se ai vërtet fitoi kohë. Nuk pamë ndonjë përshkallëzim të madh para zgjedhjeve të mesmandatit. Dhe më pas, rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte një qortim i ashpër për Presidentin Trump, si dhe një kundërshtim i fortë ndaj idesë për të nisur një luftë kundër Iranit. Mendoj se kjo e ka ndihmuar Trumpin të marrë vendimin për të mos nisur një luftë të madhe kundër Iranit. Ndoshta ai do të ishte prirur drejt një hapi të tillë nëse do të kishte pasur një pjesëmarrje të lartë dhe fitore në zgjedhjet e mesmandatit, por mendoj se vetë zgjedhjet e përcaktuan vendimin për të.
Tani ai do të kërkojë një mënyrë për të thënë se ka bërë mjaftueshëm. Dhe besoj se kjo do të nënkuptojë përpjekjen për të arritur një marrëveshje bërthamore, ku Irani premton se nuk do të zotërojë kurrë armë bërthamore edhe pse ne nuk u besojmë atyre. Ne pranojmë të nënshkruajmë një marrëveshje të tillë, ndonëse jemi skeptikë. Dhe thjesht e lëmë mënjanë çështjen e lirisë së lundrimit, sepse nuk jemi të gatshëm të hyjmë në një luftë të madhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. Duket se në këtë drejtim po shkojmë. Nuk është një rezultat ideal, por mendoj se zgjedhjet e mesmandatit kanë ndihmuar në përcaktimin e këtij drejtimi.

IAM: Lidhur me këtë drejtim, siç e dini, mëngjesin pas zgjedhjeve, Zëvendëspresidenti JD Vance fajësoi luftën me Iranin për humbjen në zgjedhje. Trump është shprehur se bie kryesisht dakord me Zëvendëspresidentin Vance. Megjithatë, ai njoftoi në platformën “Truth Social” se po e largon Zëvendëspresidentin Vance nga bisedimet. Duke pasur parasysh atë që sapo thatë, a mendoni se largimi i Vance-it është më tepër një mesazh për vetë Vance-in apo një mesazh për Iranin?
Volker: Mendoj se ky është padyshim një mesazh për vendin: ne do të përqendrohemi te çështjet e brendshme dhe te të gjitha ato gjëra të tmerrshme që po bëjnë Demokratët. Wshtë një qasje ku zjarri luftohet me zjarr. Demokratët do të hetojnë administratën, Trumpin, familjen e tij, DOGE-n e çfarëdo tjetër. Kështu që ai po merret me korrupsionin në shtetet që votojnë për Demokratët (“shtetet blu”), duke ia lënë JD Vance-it rolin kryesor në këtë drejtim. Gjithçka ka të bëjë me aspektin e brendshëm. Përveç kësaj, kjo e ruan JD Vance-in për të ardhmen; sepse, nëse nuk gaboj, besoj se do të përfundojmë me një marrëveshje jo fort të mirë me Iranin, sa për ta mbyllur këtë çështje. Ndoshta është më mirë që nënkryetari të mos ketë gisht në të.

IAM: Një pyetje e fundit. Duke parë drejt dy viteve të mbetura të kësaj administrate, cili mendoni se është kërcënimi apo sfida më e madhe me të cilën përballet politika e jashtme amerikane? Çfarë ju shqetwson, Ambasador Volker?
Volker: Mendoj se mënyra më e mirë për ta shprehur këtë është: duke qenë se nuk po krijojmë një qëndrim pozitiv, të qëndrueshëm, të bazuar në parime dhe të qartë për Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin, njerëzit pyesin vazhdimisht: çfarë do të bëjmë ne? Çfarë mbrojmë? Presidenti Trump, për hir të së vërtetës, thotë se i pëlqen të jetë i paparashikueshëm. Por fakti është se kjo paparashikueshmëri mund t’i bëjë të tjerët të mendojnë se ne nuk do të veprojmë; ata mund të na vënë në provë dhe, gjatë këtyre viteve, të dobësojnë pozicionin tonë në botë. një nga këto situata mund të përshkallëzohet në mënyrë dramatike, pa e dëshiruar askush vërtet një gjë të tillë. Mendoj se kemi krijuar një situatë tejet të paqëndrueshme, ku mund të ndodhin gjëra nga më të çuditshmet, duke na futur në një rrëmujë shumë më të madhe se ajo në të cilën ndodhemi tashmë. Prandaj, besoj se mungesa e përkushtimit ndaj vlerave dhe parimeve, si dhe mungesa e një qasjeje të qëndrueshme në politikën e jashtme, është tejet, tejet e rrezikshme.

Linku origjinal: https://www.indavemedia.com/volker-trump-administration-has-let-moscow-shift-talks-from-stopping-russia-s-war-to-europe-s-security-architecture/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb