Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një klub nate në qytetin e Trujillo, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve dhe duke lënë dhjetëra të plagosur. Sipas mediave lokale, pajisja shpërthyese u hodh gjatë një koncerti live të grupit meksikan Amor Rebelde në klubin e natës Dalí, i vendosur në lagjen Víctor Larco Herrera. Sipas Drejtorisë Rajonale të Shëndetit në La Libertad, nga shpërthimi mbetën të plagosur rreth 40 persona, ndërsa pesë prej tyre ndodhen në gjendje kritike në spital. Shpërthimi ndërpreu menjëherë performancën dhe shkaktoi kaos në ambientet e klubit, teksa klientët vrapuan drejt daljeve për të shpëtuar.

Disa nga të plagosurit treguan për momentet e frikës. Një 26-vjeçare tha se po kalonte mbrëmjen me miqtë kur papritur pa një objekt që ra dhe më pas ndodhi shpërthimi. “Gjithçka u turbullua dhe hunda ime filloi të rrjedhë gjak”, tha ajo. Një tjetër e re që ndodhej në mes të sallës tha se fillimisht mendoi se ishte problem me altoparlantët, por më pas shpërthimi theu xhamat dhe sende të tjera, duke i shkaktuar plagë nga copëzat e xhamit.

Autoritetet kanë arrestuar tre të dyshuar – dy të rritur dhe një të mitur – të cilët dyshohet se qëndrojnë pas sulmit. Hetuesit po shqyrtojnë pistën se ngjarja mund të lidhet me raste zhvatjeje nga organizata kriminale që veprojnë në zonën e La Libertad. Klubi i natës Dalí kishte qenë edhe më parë objekt incidentesh. Dy javë më parë, gjatë festimeve të Ditës së Shën Valentinit, një 16-vjeçar hodhi gaz lotsjellës në ambientet e klubit, për të cilin më pas u arrestua dhe pranoi se ishte paguar për ta kryer sulmin. Autoritetet dyshojnë se pas këtyre ngjarjeve mund të qëndrojë organizata kriminale Los Pulpos.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: