Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e ‘Lidhja Demokratike e Gruas’, Albana Vokshi, në aktivitetin e organizuar në Ditën 8 Marsit dha një mesazh të rëndësishëm për vajzat dhe gratë dhe rolin e tyre në shoqëri.
Gjithashtu Vokshi bëri thirrje që roli i tyre të mos kujtohet vetëm në 8 Mars, por gjatë gjithë vitit.
Më tej theksoi se gratë duhet të refuzojnë që dita e tyre të jetë vetëm një datë simbolike, pasi “365 ditë duhet t’u dedikohen grave dhe vajzave”.
Pjesë nga fjala e Albana Vokshit;
Çdo ditë e vitit, 365 ditë, duhet të jetë dedikuar grave dhe vajzave. Dhe jo pa qëllim fjalën time sot unë e kam titulluar Fuqia e grave. Pse? Sepse shpeshherë, gjatë historisë grave ju thuhet se kush duhet të jenë. Ju kërkohet të heshtin, jo të jenë të guximshme. Shpesh u është thënë të mbështesin dhe të bëjnë punë rutinë dhe jo të jenë pra të fuqishme. Ndaj i nderuar doktor profesor, kryetar i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha, neve ju falënderojmë shumë sot, jo vetëm për praninë tuaj këtu, por për gjithë mbështetjen që ju i keni dhënë grave dhe vajzave gjatë gjithë rrugëtimit tuaj, jo vetëm politik, por edhe profesional. Në fakt, është vetëm falë mbështetjes tuaj që shumë prej zonjave që janë në struktura drejtuese të Partisë Demokratike, apo kur kemi qenë në qeverisje, dhe është vetëm falë mbështetjes suaj që ne ja dolëm që edhe me ndryshimet e kodit elektoral ne të ruanim 30%-shin.
A jemi ne të kënaqura me vetëm 30% kur në fakt mbas lëvizjeve demografike gratë përbëjnë më shumë se 50%? Sigurisht që jo. Ndaj dhe ne si Lidhje Demokratike e Gruas do vazhdojmë të kërkojmë një përfaqësim më të lartë të grave dhe vajzave fantastike, të shkëlqyera, si në profesionin e tyre, ashtu sikurse sapo pamë disa vajza që na mahnitën me kërcimin e tyre të trevave të Mirditës, por do donim nga ju mbështetjen që një përfaqësim më i madh i grave të jetë jo vetëm në lidershipin e Partisë Demokratike, meqenëse po bëhen zgjedhje të brendshme, por një përfaqësim më i madh i grave në zgjedhjet e ardhshme lokale, si kandidate për kryetare, ashtu edhe kandidate për në këshillat bashkiak.
Në këtë sallë këtu, por dhe jashtë saj, ka potenciale të jashtëzakonshme që ende nuk janë shfrytëzuar në kuptimin e mirë të fjalës ashtu siç duhet. Historia na ka dëshmuar një të vërtetë. Sa herë që gratë kanë rezistuar, sa herë që gratë janë ngritur, sa herë që gratë kanë drejtuar, sa herë që gratë kanë udhëhequr, dhe emrat janë të shumtë, ato jo thjesht kanë qenë pjesë e një historie. Jo. Gratë kanë ndryshuar historinë. Dhe pikërisht kjo pra është fuqia e grave, këtu qëndron edhe forca jonë. Fuqia e grave është ajo e nënës që jep jetë. Fuqia e nënave është që rrisin brezat. Fuqia e grave është që mbajnë mbi supet e tyre të gjitha hallet, problemet, punën për punën dhe shoqërinë. Fuqia e grave në udhëheqje që guxojnë dhe sfidojnë.
Është fuqia e grave si ju që jeni këtu të nderuara zonja, që nuk dorëzoheni edhe kur përballeni me vështirësi, edhe kur kërcënoheni, edhe kur shantazhoheni, edhe kur përpiqen që t’ju fyejnë dhe t’ju denigrojnë. Përpiqen që t’ju rrëzojnë, po jo, kjo nuk ndodh, sepse ju ngriheni më të forta, ju ngriheni më të fuqishme. 11 vite me radhë, Edi Rama ngriti një sistem që përpiqet të zvogëlojë zërin e grave, përpiqet që ta heshti ato, përpiqet që të zëvendësojë forcën me servilizmin, ta bëjë fuqinë e grave të padukshme. Ka ngritur një sistem që nuk mbron gratë dhe vajzat, por e dhunon atë, e denigron atë. Shumë gra, ashtu si dhe fëmijët e tyre, ose detyrohen të heshten, ose detyrohen që të marrin rrugët dhe të largohen.
