SPAK ka publikuar një raport ku evidenton disa sfida të rëndësishme në funksionimin e saj, të cilat kërkojnë ndryshime ligjore dhe kushtetuese për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit.
Prokuroria e Posaçme thekson rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar, mospërcaktimin ligjor të përfundimit të mandatit të prokurorëve, si dhe nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
<strong>Sfidat kryesore të identifikuara janë:</strong>
-Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe të rrisë kërcënimet ndaj SPAK. Ndërhyrjet që kufizojnë mjete proceduriale ose pavarësinë e institucionit konsiderohen rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe shtetin e së drejtës.
-Statusi i prokurorëve pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe besimin e publikut.
-Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve me përvojë ndikon në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjen e çështjeve deri në Gjykatën Kushtetuese.
-Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve, bashkëpunimi duhet të intensifikohet sidomos me Policinë e Shtetit për hetime më të koordinuara dhe efikase.
-Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për përmirësimin e monitorimit të progresit të çështjeve.
-Njësia e analizës – Krijimi i një strukture të specializuar për mbështetje në hetime komplekse dhe raportime kombëtare/ndërkombëtare kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.
-Specialisti Ndërlidhës – Statusi aktual si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të kompetencave.
-Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë ekstradimin, ndikon në vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
-Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme çon në shtyrje dhe rritje të kompleksitetit procedural.
-Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë – Megjithë përmirësimet në bashkëpunim me disa shtete, procesi mbetet sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit.
-Raporti përfundon se përballja me këto sfida është e nevojshme për të siguruar funksionimin e pavarur dhe efektiv të SPAK, si dhe për të garantuar mbrojtjen e standardeve të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në vend.
