Nuk është hera e parë që, kur i mbarojnë faktet dhe argumentet, kryeministri i dorëzohet urrejtjes dhe përçmimit. Kur kritika bëhet e pakëndshme, dhe e vërteta djeg, përgjigjja e tij nuk vjen me fakte, por me etiketime.
Dikur i akuzonte gazetarët për “veshgjatësi”, duke i krahasuar me gomerët, por në fakt, Edi Rama do të mbahet mend si i vetmi politikan në botë, për të cilin ka një poezi të dedikuar nga poetja e njohur Mimoza Ahmeti, e cila e përdor “veshgjatin” si metaforë.
Sa ironike!
Tashmë i shantazhuar nga presioni i Belës së tij të preferuar, Edi është shndërruar në BelEdi.
Ai vendosi dje të quajë “Çimbellinj” ato media dhe ata gazetarë që atij s’i pëlqejnë, se ia përplasin të vërtetat në fytyrë.
Por, nëse do ta shohim me qetësi këtë përplasje, ka disa paradokse;
Çimbellinjtë janë më të pastër se ata që i quajnë të tillë. Çimbellinjtë nuk akuzohen për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndërsa BelEdi është në syrin e ciklonit të SPAK.
Çimbellinjtë nuk kanë marrë tendera, nuk janë kapur në përgjime, ndërsa BelEdi po hetohet për shpërdorim të taksave të shqiptarëve.
Çimbellinjtë nuk i përdorin njerëzit për tekat e veta, BelEdi i urdhëron si kamikaze të blejnë vota.
Çimbellinjtë nuk hanë kumbulla pas krahëve dhe as nuk i shesin shokët, ndërsa BelEdi ka “ngrënë kokat” e të gjithë bashkëpunëtorëve dhe miqve të vjetër s’iu flet me gojë.
Çimbellinjtë nuk kanë pushtet mbi administratën. BelEdi i sul tatimorët si gjobaxhinj ordinerë tek biznesi i ndershëm.
Çimbellinjtë nuk kanë në dorë buxhete miliardash dhe nuk firmosin kontrata shtetërore. BelEdi firmos, menaxhon dhe vendos mbi projekte me para publike dhe urdhëron tjetërsime tokash me status “strategjik”.
Por Çimbellinjtë kanë një gjë që pushteti shpesh e ka të vështirë ta tolerojë, lirinë për të menduar ndryshe, për të thënë të vërtetën.
Ndërsa është shumë më e vështirë të japësh përgjigje për korrupsionin, për tenderat, për pushtetin dhe për mënyrën se si përdoret ai.
Në një demokraci, media nuk është armiku, është pasqyra. Dhe problemi i pasqyrës është realiteti që ajo reflekton.
Prandaj përplasja reale sot nuk është mes Çimbellinjve dhe pushtetit. Është mes lirisë së medias dhe babëzisë së pushtetit.
Është përballja finale ku secili do të japë llogari.
Përballë ndërgjegjes!
Përballë publikut!
Përballë drejtësisë!
