Kur brenda administratës tatimore dëgjon njerëz që flasin me siguri absolute për urdhra të paligjshëm, gjoba selektive dhe goditje të orientuara ndaj bizneseve, kupton që një pjesë e shtetit po funksionon mbi bindjen e rrezikshme se pushteti të mbron edhe kur shkel ligjin.
Në korridoret e Drejtorisë së Tatimeve përmendet shpesh emri i Erilinda Lalës, ish-këshilltarja e ministrit të Financave, e cila sipas shumë zërave brenda administratës, flet hapur dhe pa drojë për çdo aksion, çdo presion dhe çdo “urdhër” që zbatohet pa pyetur për ligjin, procedurën apo pasojat që u shkaktohen bizneseve. Kjo thuhet me një vetëbesim që ngjan sikur buron nga garancia e mbrojtjes politike. Madje, sipas punonjësve, ajo shprehet se e sheh veten shumë shpejt minimumi në krye të Drejtorisë së VIP-ave, apo edhe më lart në hierarkinë e Tatimeve.
Po nga buron kjo siguri kaq e madhe?
Nga profesionalizmi? Nga rezultatet? Apo nga bindja se sa më shumë godet, sa më shumë ushtron presion dhe sa më shumë i shërben urdhrave politikë, aq më shumë shpërblehesh me pushtet?
Sepse kur një zyrtare ndjehet aq e fortë sa të flasë hapur për mekanizma presioni dhe për karrierë të garantuar, atëherë kemi kaluar kufirin e arrogancës individuale. Kemi hyrë në territorin e kapjes së administratës.
Më alarmante bëhet situata kur çdo denoncim publik, çdo investigim apo çdo reagim ndaj veprimeve të dyshimta, në vend që të sjellë reflektim, duket se ushqen edhe më shumë ambicien për ngjitje në karrierë. Kjo është pika ku administrata pushon së qenuri institucion publik dhe kthehet në instrument force.
Shteti ligjor nuk mund të mbahet në këmbë nga njerëz që ndihen të paprekshëm. Nuk mund të ndërtohet mbi logjikën e frikës, të hakmarrjes administrative dhe të karrierave që ngrihen mbi shkatërrimin e biznesit apo mbi zbatimin e urdhrave të verbër.
Në momentin kur në administratë krijohet bindja se “sa më shumë godet, aq më shumë ngjitesh”, atëherë ligji ka rënë. Dhe kur ligji bie brenda institucioneve që duhet ta mbrojnë, rrezikohet vetë shteti.
