Vllaznia e këtij sezoni do të kërkojë njëlloj si titullin kampion në Superiore, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë. Këtë e konfirmon edhe drejtori sportiv Vioresin Sinani, i cili pas shortit të gjysmëfinaleve të Kupës, ka komentuar përballjen me Dinamon, por edhe vazhdimësinë e ekipit në këtë edicion.

Populli thotë dy kunguj në një sjellë është vështirë të mbahen. A është Vllaznia e gatshme që të luftojë dhe për titullin kampion, por edhe fitimin e Kupës së Shqipërisë?
Unë në këtë rast nuk e di të them të drejtën këtë fjalën që the ti, po për në kampionat dhe në Kupë Vllaznia ka kontingjent të mirë lojtarësh, të mjaftueshëm për të luftuar për të dy trofetë. Normalisht është një garë e vështirë edhe ekipet gjysmëfinaliste janë të gjitha ekipe të vështira. Nuk kisha ndonjë preferencë të them të drejtën se aty dihet ekipet cilat janë, por Vllaznia besoj që do të luftojnë për të dy trofetë deri në fund.

Përballë Dinamos, që aktualisht është jashtë Final Four, shorti më i lehtë i mundshëm për ju?
A thashë, besoj që për të gjithë nuk ka short lehtë me këto tri skuadra. Këto janë skuadrat më të forta të kampionatit tonë edhe besoj që me këdo që të na binte, Vllaznia do të luftojë me maksimumin për fitimin e Kupës. Ashtu sikur edhe kampionatit, edhe Kupës, për të dy trofetë.

Nëse ka një skuadër që ju ka shënuar më shumë këtë sezon është pikërisht skuadra e Dinamos, ajo që ju ka shënuar tre gola. Sa ju frikëson fakti që kjo skuadër, përtej faktit që është brenda mundësive për të qenë aty në Final Four, objektivi kryesor ka edhe ruajtjen e trofeut të Kupës së Shqipërisë?
S’më frikëson fare as Dinamo, asnjë prej skuadrave që ishin, të them të drejtën. Unë edhe besoj që ekipi jonë të jetë me kontingjent plotë, pa pasur probleme dëmtimesh. Në gjëra të vogla normalisht mund të ketë dëmtime, por jo shumë lojtarë dhe në qoftë se ne kemi kontingjent të plotë, nuk më frikëson fare as Dinamo, as ndonjë ekip që është aty.

Skuadra e Vllaznisë ndodhet në vend të parë. Sa e shijoni ju këtë sukses me një merkato cilësore që e reflekton edhe në rezultate. E ndjeni vetë peshën si një ish-futbollist dhe çfarë ndjesie është kjo për një shkodran?
Ne jemi të kënaqur me çfarë kemi deri tani, por e dimë se kemi shumë punë për të bërë deri në fund. Është rruga e gjatë deri në fund, për atë jemi të bindur të gjithë. Kështu që uroj dhe besoj që të vazhdojmë kështu. Jemi në rrugë të mbarë, por rruga është e gjatë.

Sidoqoftë, përtej Kupës, adrenalina është vetëm për titullin. Shkodra pret prej vitesh për titullin dhe ndoshta, disa gabime gjatë rrugës mund t’ju rrezikojnë kreun këtë javë ose mund ta mbani…
Unë besoj që të gjitha skuadrat kanë pasur luhatje gjatë sezonit, kush më shumë, kush më pak. Jam i kënaqur me ecurinë e skuadrës deri tani, e them me plot gojë. Normalisht që do të ketë probleme të vogla, jo të mëdha. Unë e kam theksuar dhe e theksoj, kemi pasur vetëm një 2-3 mujor dëmtimesh dhe asnjë problem tjetër. Kështu që unë besoj që Vllaznia do të ecë me këtë ritëm mirë deri në fund. Jam i bindur që do të luftojmë shumë që të realizojmë objektivin që kemi ne.

A është Vllaznia skuadra që bën diferencën me të tjerat, sipas teje?
Unë them që kemi një ekip shumë të mirë. Kemi djem të mirë, kemi staf të mirë, kemi trajnerë të mirë, kemi president të mirë, kemi tifozë të mirë, kemi stadium të mirë, kemi çdo gjë për të shkuar deri në fund për të pretenduar për të fituar trofetë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb