Rrëzimi i kërkesë së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Agjencia e njohur AFP shkruan se “PS ka bllokuar arrestimin e aleates së Ramës që është përfshirë në një skandal korrupsioni”.

“Znj. Balluku dyshohet nga drejetësia shqiptare për favorizim në dhënien e tenderëve për dy kantjere të mëdha kombëtare: ai i ndërtimit të një tuneli dhe ai i unazës së madhe të kryeqytetit, Tiranës. Këto projekte vlejnë disa qindra milionë euro sipas padisë publike që ka ngritur SPAK”, shkruan AFP.

Artikulli i plotë:

Parlamenti shqiptar votoi të enjten kundër heqjes së imunitetit të Bellinda Balluku, ish-zëvendëskryeministre dhe bashkepunëtore e ngushtë e kryeministrit Edi Rama. Ajo përballet me akuza për korrupsion në dy dosje tenderash. Heqja e imunitetit ishte një kërkesë nga Prokuroria e posaçme antikorrupsion (SPAK), e cila parashikonte ta vinte në gjendje arresti në paraburgim.

Votimi i sotëm në Parlamentin e Shqipërisë nuk e ka mundësine të pezullojë hetimin por ai bllokoi arrestimin e ish-zëvëndëskryeministres për momentin. Anëtarët e parlamentit votuan 82 kundër kërkesês së SPAK-ut dhe 47 pro.

Belinda Balluku, 53 vjeç, e filloi karrierën e saj në Partinë Socialiste, ku shërbeu veçanërisht si zëdhënëse kur kjo parti ishte në opozitë. Në vitin 2019, ajo u emërua Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe gjithashtu u bë zëvendëskryeministre në vitin 2022, një pozicion që e mbajti deri në largimin e saj në fillim të vitit 2026 ne kuadrin e akuzave për korrupsion.

Znj. Balluku dyshohet nga drejetësia shqiptare për favorizim në dhënien e tenderëve për dy kantjere të mëdha kombëtare: ai i ndërtimit të një tuneli dhe ai i unazës së madhe të kryeqytetit, Tiranës. Këto projekte vlejnë disa qindra milionë euro sipas padisë publike që ka ngritur SPAK.

Në të dyja rastet, ish-anëtarja e qeverisë akuzohet se i ka “dhënë një avantazh të padrejtë” njërit prej kandidatëve pjesmarrës në tender.

Znj. Balluku, aleate e ngushtë e Edi Ramës, u shkarkua nga posti i saj si zëvëndëskryeministre më 20 nëntor nga një gjykatë speciale, e cila gjithashtu i ndaloi asaj të largohej nga Shqipëria. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë, ndërsa kreu i qeverisë ka denoncuar vazhdimisht “një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e ekzekutivit”.

Opozita e shfrytëzoi këtë rast për të organizuar një seri demonstratash me protesta në Tiranë, disa prej të cilave u karakterizuan nga hedhja e koktejleve Molotov dhe flakadanësh.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga kushtet kryesore për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Disa ish-ministra në qeveritë e Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, janë bërê objekt i drejtësisë për raste korrupsioni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb