Deputeti dhe nënkryetari i PD Luçiano Boçi, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet e sotme në Kuvend, ku mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama votoi kundër dhënies së autorizimit për SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Boçit, vendimi i mazhorancës tregon se situata politike në vend është përkeqësuar dhe se, sipas tij, zhvillimet nuk lidhen më me përplasje politike, por me çështje korruptive që më pas marrin formë politike. Ai u shpreh se kryeministri po përpiqet të mbajë nën kontroll çdo institucion në Shqipëri, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë.

“Sot gjithçka është shkërmoqur dhe kjo ka ndodhur jo për shkaqe politike, por korruptive që më pas shndërrohen në qëndrime politike. Rama kërkon të kontrollojë çdo gjë në Shqipëri. Tashmë ai kërkon të kontrollojë drejtësinë jo përmes mënyrave të mëparshme, por përmes një kundërshtie më të fortë ndaj veprimtarisë së sistemit të drejtësisë, për ta penguar atë në hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministres, por edhe ndaj vetë tij”, deklaroi Boçi.

Ai shtoi se, sipas tij, kryeministri është figura kryesore në disa prej aferave që po hetohen nga SPAK, duke përmendur edhe çështjen që lidhet me AKSHI dhe atë që lidhet me Ballukun.

Boçi theksoi gjithashtu se votimi i sotëm në Kuvend përbën një mesazh presioni ndaj organit të akuzës. “Rama sot ka përdorur deputetët e tij për të kërcënuar SPAK-un”, u shpreh ai, duke shtuar se, sipas opozitës, kjo përbën një përpjekje për të penguar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb