Bashkimi Europian ka reaguar pas votimit të zhvilluar sot në Parlamentin e Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit për procesin e integrimit europian të vendit.
Në një deklaratë për News24, BE bën të ditur se ka mbajtur shënim rezultatet e votimit të sotëm në Kuvend, ndërsa nënvizon se angazhimi për forcimin e shtetit ligjor mbetet një element kyç për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Është thelbësore, vijon BE, që institucionet e drejtësisë, veçanërisht SPAK, të kenë një mjedis të përshtatshëm për të kryer në mënyrë efektive detyrën e tyre.
“BE thekson se garantimi i kushteve të duhura për funksionimin e SPAK është i domosdoshëm për të mbështetur në mënyrë të besueshme përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në union”.
Reagimi i BE për News24
BE-ja merr shënim rezultatet e votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit janë të një rëndësie parësore për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të ruajtur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

