Koreja e Veriut lëshoi një raketë drejt detit të dielën, sipas njoftimeve nga Koreja e Jugut dhe Japonia. Autoritetet japoneze thanë se ka shumë gjasa që bëhet fjalë për një raketë balistike. Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketa u lëshua në det pranë bregut lindor të Koresë së Veriut. Njoftimi u bë përmes një mesazhi të shkurtër për mediat, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi trajektoren apo rrezen e saj.

Ndërkohë, roja bregdetare e Japonisë bëri të ditur se raketa duket se ka rënë në det. Transmetuesi publik japonez NHK raportoi, duke cituar burime në Ministrinë e Mbrojtjes, se raketa ka rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

Lëshimi i raketës vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitje të mëdha të përbashkëta ushtarake, të cilat nisën pesë ditë më parë. Sipas Seulit dhe Uashingtonit, këto stërvitje kanë karakter mbrojtës dhe synojnë të testojnë gatishmërinë përballë kërcënimeve ushtarake nga Koreja e Veriut. Megjithatë, Koreja e Veriut, e cila zotëron armë bërthamore – shpesh i ka kundërshtuar këto manovra, duke i cilësuar ato si “prova gjenerale” për agresion të armatosur kundër saj nga të dy aleatët.

Ndërkohë, tensionet diplomatike mbeten të larta edhe pse përpjekjet për dialog vazhdojnë. Të enjten, kryeministrja e Koresë së Jugut u takua në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar mundësitë e rinisjes së dialogut me Korenë e Veriut, i cili është pezulluar që nga viti 2019.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: