Manchester United ka marrë një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Aston Villës në “Old Trafford”, në një ndeshje që u vendos e gjitha në pjesën e dytë.
Fraksioni i parë u mbyll pa gola, me të dy skuadrat që treguan kujdes në fazën mbrojtëse. Por në minutën e 53-të, vendasit kaluan në avantazh: Bruno Fernandes ekzekutoi saktë një goditje nga këndi dhe Casemiro shënoi me kokë për 1-0, duke realizuar golin e tij të shtatë në këtë sezon.
Aston Villa reagoi shpejt dhe në minutën e 64-t barazoi me Barkley, i cili realizoi me një goditje të bukur me të majtën.
Megjithatë, Manchester United riktheu epërsinë në minutën e 71-të, kur Cunha përfitoi nga një tjetër asist i Bruno Fernandes dhe dërgoi topin në rrjetë për 2-1.
Rezultatin përfundimtar e vulosi Sesko në minutën e 81-të. Sulmuesi slloven, i futur nga pankina, shënoi për 3-1 pas një devijimi të topit nga mbrojtësi Mings.
Me këtë sukses, Manchester United ngjitet në kuotën e 54 pikëve në renditje dhe lë pas pikërisht Aston Villën, që mbetet me 51 pikë. I lumtur pas këtij triumfi ishte trajneri i “Djajëve të Kuq”, Michael Carrick, i cili e komentoi në këtë mënyrë suksesin e të tijëve: “Ne mund ta shijojmë këtë fitore,” tha Carrick për BBC. “Është një ndjesi shumë e mirë dhe diçka me të cilën duam të mësohemi gjithnjë e më shumë. Po qëndrojmë me këmbë në tokë dhe e kuptojmë mirë se ku ndodhemi dhe çfarë duhet për të fituar ndeshje si kjo e sotmja. Aktualisht jemi në një pozicion të mirë, por ka ende shumë për të luajtur.”.
