Kryeministri Edi Rama vizitoi sot qytetin bregdetar të Vlorë, ndërsa shihet i nervozuar pak para se të largohet me automjet, pas takimit me strukturat e PS. Siç edhe pamjet e tregojnë, duket se ai i drejtohej dikujt duke ngritur zërin, por bën edhe gjeste me duar. Moment që tregon acarimin e kryeministrit pas një mbledhje me të tijët që mësohet se zgjati për rreth 1 orë.
Rama vijon të duket i tensionuar që prej debatit të së premtes me gazetarët, kur gjatë një konference për mediat u përplas ashpër me dy prej tyre. Ambrozia Meta dhe Isa Myzyraj u nxorën jashtë konferencës pas replikave me kryeministrin Edi Rama.
Edi Rama zhvilloi paraditen e kësaj të hëne një takim me deputetë të Qarkut të Vlorës dhe drejtues të pushtetit lokal. Gjatë takimit në qytetin bregdetar, mësohet se kreu i qeverisë ka vënë theksin tek projektet zhvillimore në Vlorë, investimet publike, si dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik.
Mësohet se Rama ka kërkuar një koordinim shumë më efikas mes pushtetit vendor, deputetëve dhe institucioneve qendrore, me qëllim ecjen përpara dhe përfundimin në kohë të investimeve në infrastrukturë dhe zhvillim urban.
