Dy aksidentet e rënda në autostradën “Trakia” në Bullgarinë juglindore dyshohet se u shkaktuan nga një kombinim faktorësh, ku ndikimin kryesor e pati mjegulla e dendur, dukshmëria e kufizuar dhe rruga e rrëshqitshme.

Sipas informacioneve paraprake, aksidenti i parë ndodhi pak pas orës 07:00 të mëngjesit, në drejtim të Burgasit, pranë kryqëzimit të Zimnicës. Një kamion i preu rrugën një autobusi me pasagjerë, duke shkaktuar përplasjen e tij me një kamion që transportonte grurë. Menjëherë pas kësaj, edhe një automjet tjetër u përplas me pjesën e pasme të kamionit.

Ndërkohë, një tjetër aksident ndodhi në drejtimin e kundërt, drejt Sofjes. Autoritetet dyshojnë se shoferët u shpërqendruan nga përplasja e parë, duke shkaktuar një tjetër zinxhir aksidentesh.

Situata u përkeqësua nga mjegulla e dendur, e cila ua vështirësoi drejtuesve të mjeteve dallimin e automjeteve të ndaluara në rrugë. Brenda pak çastesh, përplasjet përfshinë më shumë se 70 automjete, mes tyre kamionë dhe autobusë. Dëshmitë e personave që ndodheshin në vendngjarje përshkruajnë momente paniku. Një drejtues mjeti tregoi se arriti të ndalonte, por pak sekonda më vonë një kamion e goditi nga pas, duke e përplasur automjetin e tij me barrierat mbrojtëse.

Bilanci tragjik deri në përditësimin e fundit ishte të paktën 11 viktima dhe 48 të plagosur, tre prej tyre në gjendje kritike. Autoritetet bullgare kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të dy aksidenteve. Autostrada mbeti e bllokuar në të dyja drejtimet në zonën e Jambolit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: