Në futboll, shpesh mjafton një detaj për të ndryshuar totalisht fatin, apo të ardhmen e një lojtari. Rasti tipik është ai i Alessandro Bastonit ku mjaftoi një stimulim ndaj Kalulu për të sjell një krisje të fortë mes tij dhe tifozëve në Itali, të cilët vijojnë ta vërshëllejnë në çdo stadium. Jo vetëm ky fakt, edhe në shtëpinë e Inter janë të detyruar të sakrifikojnë dikë për të projektuar sezonin e ri.
Mes Bastonit dhe Thuram, me sa duket drejtuesit e klubit zikaltër kanë vendosur të sakrifikojnë pikërisht mbrojtësin “azzurr”. Për Bastonin ka edhe një interesim të fortë dhe konkret nga shumë klube të rëndësishme evropiane, me Barcelonën në krye. La Gazzetta dello Sport shkruan se interesimi i Barçës për Bastonin nuk është një risi, e kanë kërkuar edhe më herët, por këtë verë mund të kemi një finalizim të marrëveshjes pasi Barça është gati të plotësojë të gjithë kushtet, 50 milionë euro për kartonin e tij dhe një pagë prej mbi 5 milionë euro për lojtarin. Me Bastonin në formacion, Hansi Flick shpreson të mbyll përfundimisht problemet me prapavijën.
Jo vetëm Barcelona, për Bastonin ka interesim të fortë edhe për Premier League, por për momentin i gjithë diskutimi është shtyrë në kohë pasi Inter dhe Bastoni kërkojnë fillimisht të mbyllin çështjen titull në Serie A.
